Site icon Telegrafi

Kosova në Londër me medalje të artë për inovacion, flet fituesja Arta Shehu-Zaimi (Video)

Drejtoresha e Akademia JCoders, Arta Shehu-Zaimi, fituese e medaljes së artë në lojërat “Start-Up Games” që janë mbajtur në Samitin e Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në Londër, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se fitorja e këtij çmimi me LabBOX ka vërtetuar punën e tyre.

LabBox është produkt i teknologjisë edukative që ofron eksperiencë unike mësimi ndërmjet storieve dhe elektronikës për një gjeneratë më të përgatitur.

Shehu-Zaimi ka thënë se kjo ka qenë një mundësi e artë që ta vërtetojnë punën e tyre edhe Kosovës edhe në nivel evropian në inovacion.

“Fitorja në Samitin e Londrës për ne ka një vlerë shumë të madhe, sepse kjo po e vërteton punën dhe zgjidhjen që ne e kemi bërë me produktin tonë, zgjidhje kjo që ka qenë dhe për tregun britanik. Edhe nëse nuk kishim shkuar drejt fitores, kjo ka qenë një mundësi e artë në fazën në të cilën jemi. Tash është mundësia që ta vërtetojmë këtë përshtypjen tonë me një treg të nivelit evropian dhe për këtë Britania e Madhe është një vend që ne po e synojmë”, tha Shehu-Zaimi.

Ajo ka treguar se produkti është modular dhe është një zgjidhje edukativo-teknologjike.

“Produkti ynë është modular, i përbërë me 27 komponente të ndryshme elektronike, të cilat janë të programueshme. Duke i lidhur këto komponente, një fëmijë është në gjendje të krijojë një projekt të caktuar. Ne jemi munduar që të vijmë te një zgjidhje edukativo-teknologjike, e cila si për mësimdhënësit dhe për nxënësit krijon ambient të mësojnë dhe të eksperimentojnë, duke pasur mundësi ta bëjnë përmes eksperiencës zbavitëse”, ka shtuar ajo.

Lexo po ashtu Arta Zajmi fitoi medalje të artë në lojërat “Start Up” në Londër

Shehu-Zaimi ka thënë se Akademia JCoders po bëhet një prej shembujve që po arrin vëmendje.

“Jemi ndier shumë krenar dhe mirënjohës për reagimin pozitiv. Mua më ka gëzuar ky reagim për faktin se ne po bëhemi njëri prej shembujve të parë që po arrijmë një vëmendje të tillë në nivel botëror”, tha Shehu-Zjami.

Akademia jCoders ka për mision ndërtimin e gjeneratës së re të krijuesve, duke i ekspozuar të rinjtë nga mosha 8 vjeçare ndaj teknologjisë informative dhe krijimit të teknologjisë.

jCoders është themeluar në korrik te vitit 2015 dhe fokusi kryesor është në arsim dhe ekipi përbëhet nga persona të kualifikuar dhe me eksperiencë të theksuar në programim, si dhe të aprovuar si edukator në fushën e programimit. /Telegrafi/

Exit mobile version