Federata e Futbollit e Kosovës ka arritur një marrëveshje me Federatën e Futbollit të Azerbajxhanit, e cila marrëveshje pritet të nënshkruhet nesër (e hënë), e me të cilën është paraparë që më 2 shkurt në Antalia të Turqisë ta zhvillojnë një ndeshje miqësore ndërmjet dy përfaqësueseve.
Ndërkaq, për këtë ndeshje, skuadra do të përbëhet prej futbollistëve të Vala Superligës që do të jetë një test i mirë për të parë cilësitë e futbollistëve vendor – thuhet në njoftimin e FFK-së.
Kujtojmë se në muajin nëntor, përfaqësuesja e Kosovës regjistroi fitore prej 4-3 kundër Letonisë në një ndeshje miqësore.
Përfaqësuesja jonë arriti ta marrë një fitore të madhe në fund të trilerit të shtatë golave në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës.
Rrjedha e ndeshjes Kosovë-Letoni
Goli i parë i ndeshjes erdhi nga mysafirët dhe u shënua në minutën e 11-të me anë të mesfushorit Glebs Kluskins.
Megjithatë, gëzimi i letonezëve zgjati vetëm dy minuta, pasi në minutën e 13-të ishte mbrojtësi Amir Rrahamani, i cili shënoi me kokë për 1-1 pas asistimit të Bernard Berishës.
Mysafirët arritën përsëri të kalojnë në epërsi në minutën e 30-të me anë të sulmuesit Valerijs Sabala, i cili shënoi për 2-1 pas gabimit të Samir Ujkanit.
Deri në fund të pjesës, Kosova arriti të bëjë trysni edhe më shumë dhe të gjej golin e barazimit në minutën e fundit, pasi Vedat Muriqi shënoi me kokë për 2-2 pas harkimit të saktë nga këndi të Besar Halimit.
Pjesa e dytë nisi më mirë për Kosovën, por përsëri ishin mysafirët që shënuan të parët.
Ishte mesfushori Glebs Kluskins që shënoi golin e dytë personal, ku pas një goditje të fortë nga distanca në minutën e 59-të shënoi për 3-2.
Në vazhdim të ndeshjes, trajneri Muharrem Sahiti bëri disa ndryshime duke iu jap hapësirë lojtarëve të rinj si Lirim Kastrati, Suad Sahiti dhe portierit Bledar Hajdini.
Loja e Kosovës ndryshoi paksa duke bëri disa sulme të vazhdueshme, por goli i barazimit erdhi me fat vetëm në minutën e 85-të për 3-3.
Ishte Elbasan Rashani, i cili u godit me top në shpinë nga një mbrojtës i Letonisë dhe topi përfundoi pas shpinës së portierit.
Kur pritej që ndeshja të përfundonte ishte mesfushori Besar Halimi, i cili shënoi në minutat shtesë për 4-3 dhe kështu pas 90 minutave ndeshja përfundoi me fitoren e Kosovës. /Telegrafi/