Telegrafi

Kosova merr pjesë në Kongresin Botëror të Ndëmarrësisë

Për të pestin vit me rradhë, Kosova përfaqësohet nëngjarjen më të madhe në botë për ndërmarrësi – Global Entrepreneurship Congress, që sivjet mbahet në Stamboll të Turqisë.

Kongresi Botëror i Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Congress), çdo vit mbledhë akterët kryesorë të ndërmarrësisë dhe biznesit dhe shërben si pikë referuese për identifikimin e mundësive të reja ndërmarrëse, formësimin dhe përditësimin e rrjetit në ekosistemin e ndërmarrësisë, si dhe pasqyron inovacion dhe kreativitet në idetë biznesore të kohës. Këtë vit, kjo ngjarje do të mbahet në Stamboll të Turqisë, nga datat 16-19 prill 2018 me tematikë strukturimin e një ekosistemi të vetëm botëror dhe gjithëpërfshirës.

Duke marr parasysh që ndërmarrësia si koncept ngërthen në vete më shumë se sa vetëm ekonominë e biznesit, kjo ngjarje është një ndërlidhje e duhur në mes të mentalitetit shoqëror, kulturës dhe barrierave të cilat kufizojnë potencialin e ekosistemit të ndërmarrësisë dhe kushtëzojnë zhvillimin e tij. Janë pikërisht ndërmarrësit pjesëmarrës në këtë kongres, që me tregimet e tyre të suksesit dhe praktikat e mira, do të shërbejnë si struktura edukativo-arsimore jo vetëm me fokus zhvillimin e platformave më efektive, por edhe rritjen e vetqëndrueshmërisë së ekosistemit në të ardhmen.

Pjesë e kësaj ngjarje do të jetë edhe Kosova, ku me përfaqësues Uranik Begun, drejtor ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK), do të ndajë përvojat e mira me shtetet e tjera dhe strukturat e tyre zhvillimore të cilat kanë rezultuar të jenë të sukesshme përgjatë viteve. Si objektiv kryesor i pjesëmarrjes së Kosovës shihet krijimi i një bashkëpunimi ndër-kufitar nëpërmjet iniciativave që përfshijnë ndërmarrësit, investitorët, hulumtuesit, politikë-bërësit dhe organizatat e ndryshme nga e gjithë bota, me fokus zhvillimin dhe përkrahjen e ekosistemit të ndërmarrësisë në Kosovë, ekosistem ky ende i brishtë.

“Kosova, vend ky me një fuqi punëtore të edukuar mirë dhe pro-teknologjike, ka avantazhin e duhur krahasues për të përfituar nga industria e ekonomisë digjitale, industri e cila vë në pah inovacionet teknologjike në sektoret më zhvillimore të vendit. Të gjeturat dhe rekomandimet nga kjo ngjarje, do të zbatohen në përditësimin e kornizave zhvillimore të programeve tona, ekosistemit të ndërmarrësisë në përgjithësi dhe institucioneve publike relevante për industrinë në fjalë, me qëllim të përmirësimit të produktivitetit të ndërmarrjeve, identifikimin e burimeve potenciale të financimit dhe krijimin e partneriteteve të reja”, theksoi Begu.

Po ashtu, vlenë të theksohet se Kosova është e nominuar për çmimin “Brand & Community Chapions”, çmim të cilin e ka fituar në vitin 2015, për fushatën më të mirë për promovimin e ndërmarrësisë dhe bizneseve fillestare (start-up). /Telegrafi/