Presidentes Atifete Jahjaga në 15 vjetorin e themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës ka thënë se ky institucion ka përmbushur me përkushtim funksionet e saj, në veçanti përmes rregullimit dhe mbikëqyrjes së sektorit bankar për të siguruar pajtueshmërinë me rregullat e menaxhimit të shëndoshë dhe për të garantuar stabilitetin e sistemit tonë financiar.
“Puna e mirë në rregullimin dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të sektorit bankar, ka bërë që ne sot, përkundër faktit se bota është trandur nga një krizë e fuqishme ekonomike dhe financiare, të kemi një sektor bankar të shëndoshë, me banka të kapitalizuara mirë përmes depozitave vendore, duke e bërë ekonominë tonë më të pavarur nga lëvizjet në tregjet ndërkombëtare”, tha Presidentja Jahjaga.
Sipas saj, mbikëqyrja profesionale e sektorit bankar dhe përshtatja e vazhdueshme e legjislacionit në linjë me kërkesat dhe nevojat e tregut, ka ndikuar dukshëm edhe në zvogëlimin e rrezikut moral. “Banka Qendrore e Kosovës mbetet prandaj njëra ndër shtyllat kryesore institucionale të ekonomisë, shtyllë e sistemit financiar dhe mbrojtëse e stabilitetit financiar e makroekonomik të vendit”.
Ajo tha se politika duhet të jetë lehtësuese e zhvillimit ekonomik. “Shkalla e pamjaftueshme e rritjes ekonomike, papunësia dhe mungesa e efektivitetit qeverisës po çojnë në një ambient që e stimulon pasigurinë dhe e rritë ndikimin e grupeve kriminale dhe ekstremiste”, tha presidentja. “Problemi i papunësisë zgjidhet me politika të mirëfillta ekonomike e me një përkushtim serioz në të gjitha nivelet, sepse vetëm kështu mund të thyhet së pari kjo krizë e thellë e besimit, që pastaj të krijohen parakushtet për një progres të mirëfilltë ekonomik në mbarë vendin tonë”.
Presidentja theksoi se Kosova me potenciale të mëdha njerëzore e natyrore, duhet të ndërtojmë një vizion të qartë ekonomik, që duhet të jetë vizion gjithëpërfshirës, që definon rrugët dhe mënyrat për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik, pjesë e të cilit duhet të jetë secili qytetar i Kosovës pa dallim.
“Rruga drejt prosperitetit ekonomik konsiston në zhbllokimin e këtyre resurseve dhe potencialeve të jashtëzakonshme që ka vendi ynë. Ne duhet të lehtësojmë zhvillimin e sektorit privat, në linjë me mundësitë tona dhe me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare”. /Telegrafi/