Kosova i ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e fundit në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020, kundër Çekisë dhe kundër Anglisë.
Këto dy ndeshje janë tejet të rëndësishme, ngase epilogu i tyre mund t’i japë Dardanëve biletën për në Kampionatin Evropian, ëndërr kjo e kamotshme e shumë gjeneratave.
Mirëpo, përkundër rëndësisë së madhe të këtyre ndeshjeve, si përzgjedhësi Bernard Challandes, ashtu edhe futbollistët janë të qetë dhe kanë filluar me përkushtim të përgatiten sidomos për ndeshjen e parë në Plzen, më 14 nëntor, ku do të ballafaqohen me rivalin direkt për pozitën e dytë në renditjen e Grupit A, Çekinë.
Në stërvitjen e parë grupi nuk ka qenë i kompletuar, ngase për shkak të ndeshjeve të zhvilluara të shtunën kanë munguar disa prej futbollistëve.
Për shkak të problemeve me lëndime nuk u paraqitën Herolind Shala dhe Leart Paçarada, derisa Vedat Muriqi u stërvit ndaras prej pjesës tjetër të lojtarëve, për shkak të shqetësimeve në nyjën e këmbës, lëndim të cilin e pësoi në fundjavë në kampionatin turk.
Stërvitjen e sotme e ndoqën nga afër presidenti Agim Ademi, nënkryetari, Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, si dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.