Edicioni i Gjashtë i Garës së Robotikës KML Open 2023-24, i organizuar nga Kosova Makers League (KML), përfundoi me një Super Finale të veçantë, ku morën pjesë 100 ekipe nga komuna të ndryshme të Kosovës. Në këtë ditë, u ndanë edhe shpërblimet për ekipet fituese, të cilët fituan biletën për të vizituar panairin më të madh të teknologjisë dhe inovacionit, Maker Faire Rome, në Romë.
Ekipet filluan udhëtimin e tyre me datën 24 tetor dhe e nisën vizitën në panair me datën 25 tetor. Gjatë qëndrimit të tyre në panair, nxënësit patën mundësinë të njiheshin me teknologji të reja dhe krijimtari inovative në fusha të ndryshme. Nga robotët edukativë e deri te shpikjet teknologjike në mjekësi, ata panë pajisje që nxisin kreativitetin e nxënësve dhe pajisje të vlefshme për jetën e përditshme.
Përveç aspektit edukativ, nxënësit shijuan edhe aktivitete argëtuese, duke përfshirë lojëra me teknologji të ndryshme dhe shfaqje si ndeshjet e futbollit me robotë.
Ngjarje e rëndësishme në këtë panair ishte edhe punëtoria e organizuar nga Kosova Makers League dhe BONEVET. Gjatë kësaj punëtorie, nxënësit e ekipeve ndanë njohuritë e tyre me bashkëmoshatarë dhe të rinj nga e gjithë bota, për programimin e robotit micro:Maqueen Plus. Përveç KML-së, në këtë punëtori i pranishëm ishte edhe ekipi i BONEVET, i cili organizoi një punëtori për ndërtimin dhe programimin e makinës RC me micro:bit.
Vizita në Maker Faire Rome ishte një përvojë e paharrueshme për ekipet nga Kosova, e cila jo vetëm që theksoi rëndësinë e inovacionit dhe teknologjisë, por gjithashtu inkurajoi nxënësit të vazhdojnë eksplorimin e fushave STEAM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Art dhe Matematikë).