Telegrafi

Kosova luan në udhëtim te Sllovenia, kërkon fitoren e parë këtë edicion në Ligën e Kombeve

Përfaqësuesja e Kosovës ende nuk e ka shijuar fitoren e parë këtë edicion në Ligën e Kombeve.

Dardanët kanë zhvilluar deri më tani katër takime, ku kanë dy barazime e dy humbje.

Në kuadër të xhiros së pestë të Ligës C, Kosova do të luaj në udhëtim te Sllovenia në Lubjanë.

Sllovenët pas katër ndeshjeve të para janë në krye të Grupit 3 ku kanë grumbulluar 10 pikë, ndërsa Kosova ka vetëm dy pikë.

Një fitore eventuale e vendasve do të bënte që ata të bënin një hap të madh drejt fitimit të grupit.

Nga ana tjetër fitorja eventuale e Kosovës do të bënte që Dardanët të siguronin qëndrimin në Ligën C edhe për një tjetër edicion.

Vendasit janë të kompletuar për këtë takim dhe shihen si favorit në letër, ndërsa te Kosova ka mungesa të mëdha.

Herolind Shala, Bersant Celina, Benjamin Kololli, Milot Rashica, Leart Paqarada, Idriz Voca dhe Betim Fazliji janë mungesat e Kosovës.

Djelmoshat tanë në këtë sfidë do t’i drejtojë ndihmës trajnerit Muharrem Sahiti, pasi Bernard Challandes nuk ka udhëtuar fare drejt Sllovenisë për shkak se ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Ndeshja mes Sllovenisë dhe Kosovës zhvillohet në stadiumin Stozice në Lubjanë me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi/