Kosova ka nevojë për potencialin e saj intelektual nga diaspora. Institucionet e Kosovës u bëjnë thirrje qytetarëve të saj, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës, që potencialin e tyre intelektual ta sjellin në Kosovë, pasi që siç thonë ata, vendi ka më shumë se kurrë ka nevojë për dijen e tyre.
Bazuar në shënimet zyrtare, janë rreth 400 mijë qytetarë të regjistruar të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, porse ky numër konsiderohet të jetë edhe më i lartë.
Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se është duke u punuar që potenciali intelektual i Kosovës të kthehet në vend.
“Ne, si Qeveri e Kosovës, përkatësisht Ministria e Diasporës jemi të vetëdijshëm për potencialin intelektual të diasporës, gjegjësisht për përvojën e dijes, kulturës dhe kapitalin e krijuar me vite në mërgatë ku ata jetojnë, prandaj iu bëj thirrje si Kosovë dhe si Qeveri, se Kosova si kurrë më parë ka nevojë për dijen për përvojën e tyre që të vijnë të investojnë dhe të kthejnë trurin dhe përvojën e tyre në shtetin e Kosovës”, thotë Daci.
Në Strategjinë për Diasporën, Daci thotë se është duke u punuar në atë drejtim që të krijohen kushte të favorshme për investime, dhe që diaspora të ketë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
“Në Kuvendin e Kosovës duhet të dëgjohet zëri i diasporës dhe jemi duke punuar në atë drejtim që diaspora jonë të ketë ulëse në Kuvend dhe kjo do të bëhet me reformë zgjedhore”, thotë Daci.
Ditë më parë gjatë një takimi me bashkatdhetarët, edhe kryeparlamentari Kadri Veseli ka theksuar se diaspora nuk duhet të shihet vetëm si remitenca, por si dije e potencial për zhvillim.
Ndërkohë, edhe përfaqësues të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë thonë se diaspora e Kosovës duhet të shihet si potencial intelektual që do të mund të shërbenin në zhvillimin e proceseve në fusha të ndryshme të zhvillimit të vendit.
Naim Dedushaj nga kjo organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç remitencave, diaspora ka shumë njerëz, të cilët gati në të gjitha fushat kanë shënuar suksese të mëdha në vendet ku jetojnë.
Sipas tij, me një organizim nga institucionet e shtetit, këtë njerëz, këtë potencial intelektual do të mund ta sjellin në Kosovë.
“Përveç remitencave, tani është edhe një diasporë tjetër, ka shkuar me hapa shumë përpara në hapin intelektual. Në diasporë kudo që jetojnë shqiptarët si në Amerikë e Evropë, janë shkolluar. Tani kemi një numër të madh të studentëve, të cilët po përfundojnë studimet në fakultetet më të mira në botë. Po ashtu, kudo që të shkosh, aty ku jeton diaspora, mund të takosh shqiptarë të fuqishëm në shumë institucione, si banka, spitale e të tjera”, thekson Dedushaj.
Diaspora, pas viteve ’90, shton Dedushaj, ka kaluar në një fazë tjetër dhe kjo është shkalla intelektuale dhe se kthimi i tyre në Kosovë do t’i kontribuonte shumë vendit.
Sipas tij, për këtë ka pasur përpjekje nga institucionet e Kosovës, por asgjë konkrete.
“Për këtë çështje duhet të ketë vullnet të mirë, fonde dhe respekt për kuadrot që janë në diasporë. Po flasim për mjekë shqiptarë që janë me renome botërore. Me miliona euro të qytetarëve të Kosovës shkojnë në shtete tjera për shërim, dhe sikur institucionet e Kosovës të ishin më të organizuara në këtë aspekt, atëherë me siguri çdonjëri që ka kryer shkollën atje, është i gatshëm të japë një kontribut në këtë çështje”, thotë ai.
Ndryshe, më shumë se gjysmë miliardi euro në vit vlerësohet të jenë dërgesat e emigrantëve kosovarë.
Ato vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.
Remitencat që pranohen në Kosovë kryesisht vijnë nga Gjermania, Zvicra, SHBA-ja, Italia, Suedia, Austria, Franca, Britania e Madhe dhe shtete të tjera.