Site icon Telegrafi

​Kosova kërkon nga Mali i Zi që të lejojë fëmijët të kalojnë kufirin me certifikatë lindjeje

Bregdeti malazez, më theks të veçantë qyteti shqiptar i Ulqinit, është një nga destinacionet e preferuara për kosovarët gjatë muajve të verës. Mirëpo, për familjet me fëmijë të vegjël, tashmë ka një problem tjetër. Fëmijët deri në moshën 16-vjeçare nuk mund të udhëtojnë me certifikatë të lindjes, por vetëm me pasaportë.

Mali i Zi, vitin që shkoi ka pezulluar vendimin e mëparshëm, në bazë të të cilit fëmijët nën moshën 18-vjeçare nga Republika e Kosovës, janë lejuar të kalojnë kufirin vetëm me certifikatë të lindjes.

Zëvendësministri i Turizmit në Malin e Zi, Armend Milla apeloi qytetarët në Kosovë që të respektojnë këtë vendim deri në një tjetër pasi kështu do të mund të shmangeshin tollovitë dhe keqkuptimet në pikat kufitare.

“Normalisht duhet respektuar ligjet dhe ajo është çështje kryesore. Qeveria e Kosovës ka arritur në nivel ku me pasaporta të jepen në një afat kohor sa më të shkurt dhe apeloj të gjithë qytetarët që të mos të presin momentin e fundit dhe të nxjerrin pasaportat për fëmijët e tyre, sepse në atë mënyrë edhe ne do të avancojmë dhe do të zvogëlojmë problemin e kufirit të Muriqanit dhe Sukubinës, i cili është një problem i madh”, tha Milla.

Autoritetet në Kosovë konfirmuan për KosovaPress se i kanë kërkuar Malit të Zi që të lejohet kalimi i fëmijëve edhe me certifikatë lindjeje, pasi është në interesin e përbashkët një gjë e tillë, ndërsa po presin për një përgjigje.

“Ne jemi në kontakt të afërt me homologët tanë… E kam takuar personalisht (Zëvendësministër i ekonomisë dhe turizmit nga Mali i Zi, Armend Milla) e kam paraqitur këtë kërkesë dhe është përgjigjur në mënyrë pozitive se do të kenë parasysh konsideratë për turistët tanë, sidomos gjatë sezonit të verës. Është në interes jo vetëm me Malin e Zi, por edhe me Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjën dhe me të gjitha vendet e rajonit që të kemi një ofertë turistike të përbashkët por edhe lehtësira në kalimin kufitar të qytetarëve tanë… Pritet një përgjigje pozitive por ta shohim sa herët është kjo përgjigje”, tha ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Pika kufitare Muriqan-Sukobinë, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, ka fluksin më të madh pasi ajo preferohet edhe nga kosovarët.

Milla tha se kanë pasur disa takime me Ministrinë e Punëve të Brendshme për të diskutuar disa rregulla të reja, ndërsa u shpreh se ka pasur takime edhe me autoritetet në Shqipëri që regjistrimi i personave që kalojnë kufirin të bëhet vetëm një herë.

“Qeveria e Malit të Zi, kemi pasur disa takime me Ministrinë e Punëve të Brendshme, po ashtu me përfaqësues të kalimit kufitar, ku neve do aplikojmë disa rregulla të reja gjatë këtij viti, gjatë këtij sezoni turistik në mënyrë që turistet të mos presin aq shumë në kufi… 3:32 Ndërmjet tjerash kemi pasur një mbledhje qeverie të përbashkët me Shqipërinë, ku është diskutuar edhe kjo, sepse kufiri Muriqan-Sukubinë, janë dy pozita të policive dhe të dyja bëjnë të njëjtën procedurë. Në atë mënyrë jemi duke provuar për të rregulluar atë sistem që të jetë njësh, në mënyrë që regjistrimi të bëhet një herë dhe jo dy herë, por në momente të vështira kur është fluksi më i madh të mos bëhet regjistrimi fare”, shtoi Milla.

Në korrik të vitit të kaluar Mali i Zi ka marrë vendim që kalimi i kufirit për shtetasit e Kosovës të bëhet vetëm me dokumente të vlefshme udhëtimi.

Exit mobile version