Site icon Telegrafi

Kosova ka zhvilluar stërvitjen e parë në Sllovaki

(Foto: basketbolli.com)

Basketbollistët e Kosovës të martën kanë mbajtur stërvitjen e parë në Sllovaki. Stërvitja ka qenë nga ora 12:00 deri në 12:45, kurse në mbrëmje do të kenë edhe stërvitjen e dytë.

Skuadra ka kryer testin PCR për COVID-19, që ishte i treti, pasi basketbollistët e Kosovës dy herë janë testuar në Prishtinë.

Atmosfera në kampin e Kosovës është shumë e mirë dhe lojtarët janë të motivuar për dy ndeshjet, ndaj Sllovakisë dhe Islandës, të vlefshme për parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2023.

Gjithçka po shkon sipas planit të paraparë deri më tani dhe përzgjedhësi Christos Marmarinos është i kënaqur me ekipin dhe angazhimin e lojtarëve.

“Mbrëmë kemi arritur në Bratislavë, ku nuk kemi pasur asnjë telashe gjatë rrugës. Me të arritur në hotel e kemi kryer një test për Covid-19 që kërkohet nga shteti sllovak. Mbrëmë e kemi pasur pushim sa i përket stërvitjeve. Sot e kemi kryer testin e tretë PCR dhe deri më tani gjithçka është duke shkuar mirë”.

“Erjon Kastrati na është bashkuar mbrëmë dhe sot ka stërvitur me ekipin. Në mbrëmje do të kemi edhe stërvitjen e dytë e cila do të jetë më e gjatë dhe do të kemi më shumë mundësi të punojmë në koordinimin e Erjonit me pjesën tjetër të ekipit”.

“Jemi të vendosur në hotel dhe kemi qasje vetëm në stërvitje dhe ndeshje, pasi që kështu e kërkon protokolli për Covid19 i FIBA-s, të cilin duhet respektuar maksimalisht”, ka thënë Rugova për faqen zyrtare të FBK-së”, ka deklaruar Granit Rugova, drejtor i përfaqësueseve.

Dardanët janë liderë të grupit me dy fitore në dy ndeshje. Kosova në muajin shkurt të këtij viti mundi në Prishtinë, Islandën 80:78 dhe Luksemburgun në udhëtim 80-84.

Exit mobile version