Procesi i Berlinit i lansuar në gusht të 2014-tës dhe i inicuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, konsiderohet si një nga nismat e Bashkimit Evropian nga e cila Kosova ka përfituar shumë.
Kjo iniciativë ka për qëllim të fuqizojë bashkëpunimin rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe të lehtësojë integrimin e tyre në familjen evropiane. Për më tepër, synimi i këtij mekanizmi është të promovojë progres në procesin e reformave, duke zgjidhur çështje bilaterale dhe të brendshme, duke arritur pajtueshmëri në mes të shoqërive në vendet e rajonit, duke promovuar bashkëpunimin ekonomik dhe themeluar zhvillim të qëndrueshëm mes këtyre vendeve.
Kosova që nga lansimi i këtij procesi ka përfituar plot 145 milionë euro për projekte të ndryshme, të prezantuara dhe akomoduara në samitet që janë mbajtur në kudër të këtij procesi. Delegacionet e institucioneve të Kosovës kanë qenë pjesë e 6 samiteve, duke nisur në vitin 2014 në Berlin, më 2015 në Vjenë, më 2016 në Paris, për të vazhduar më 2017 në Trieste, më 2018 në Londër dhe në 2019 në Poznan.
Në marrëveshjet dhe konkluzionet e dakorduara në këto samite, Kosova ka përfituar projekte konkrete në rindërtimin e linjave hekurudhore, rrugore, telekomunikacionit, energjinë e ripërtritshme dhe efiqiente etj.
• Rreth 27 milionë euro i janë dhuruar Kosovës në rehabilitimin e linjës hekurudhore 10-të, sinjalizimin dhe rrjetit telekomunikues.
• 4.4 milionë euro janë dhuruar në ndërtimin e rrugës Prishtinë – Merdare.
• 18.2 milionë euro, ky proces i ka dhënë Kosovës në rehabilitimin e linjës hekurudhore Kosovë – Maqedoni e Veriut.
• Nga Programi për Energji Efiqiente (REEP PLUS) Kosova ka fituar fonde në vlerë prej 30 milionë euro.
• 20 milionë euro të tjera janë dhënë për Kosovën në projekte për Energjinë e Ripërtritshme.
Këto shifra financiare, nuk janë rezultatet e vetme nga Procesi i Berlinit dhe fondet e Bashkimit Evropian. Në samitet e organizuara përgjatë viteve, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nën udhëheqjen e inicuesve dhe mbështetësve të këtij procesi, kanë arritur të nënshkruajnë memorandume bashkëpunimi, duke promovuar paqen, të drejtat e njeriut, zhvillimin social, kulturor dhe ekonomik dhe, duke kaluar barrierat politike të së kaluarës me disa nga vendet rajonale. Këto marrëveshje bilaterale dhe multilaterale, kanë forcuar direkt ekonominë e vendit, poziciononin e Kosovës me vendet fqinje dhe të Ballkanit Perëndimor dhe kanë përafruar më shumë rrugën tonë drejt familjes Evropiane.
Për Kosovën, Procesi i Berlinit, vlerësohet si një nga nismat më konkrete dhe më të suksesshme në adresimin e nevojave dhe projekteve për vendin. Për më tepër në Procesin e Berlinit, përveç rrafshit institucional dhe politik, të përfaqësimit dhe përfitimit, që nga themelimi në samitet e organizuara, gjithmonë janë përfshirë edhe përfaqësimet rajonale nga shoqëria civile, nga organizatat e të rinjve dhe nga asociacionet e biznesit.
Kosova vazhdon të mbetet një nga prioritetet e BE-së!