Ish-ministrja dhe deputetja e Parlamentit të Finlandës, Tytti Tuppurainen, e cila është edhe kryetare e Grupit të Miqësisë Kosovë-Finlandë, ka kritikuar Bashkimin Evropian për qasje të butë ndaj Serbisë e të ashpër ndaj Kosovës.
Reagimi i Tuppurainen vjen pasi Kosova nuk u përfshi sot në agjendën e Këshillit të Evropës, derisa ka shtuar se kjo nuk i konvenon stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
“Evropa përballet me një reagim të ashpër pasi Kosova nuk pranohet si anëtare e Këshillit të Evropës. Zbutja e kërkesave të pajustifikuara të Serbisë nga Franca, Gjermania dhe Italia nuk do t’u shërbejë interesave tona për të rritur stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin në BE. Kosova është pjesë e Evropës demokratike”, ka shkruar Tuppurainen në platformën “X”, transmeton Telegrafi.
Europe faces a severe backlash as Kosovo is not accepted as member of the Council of Europe. Appeasing Serbias unjustified demands by France, Germany and Italy won’t serve our interests to enhance Western Balkan’s stability and EU integration. Kosovo is part of democratic Europe.
— Tytti Tuppurainen (@TyttiTup) May 17, 2024
Mos përfshirja e Kosovës në agjendën e KiE vjen pas letrës së tre liderëve evropianë dërguar kryeministrit Albin Kurti përmes së cilës kërkohet Asociacioni si kusht për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë në letër se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar të asociacionit, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të merr mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”. /Telegrafi/