Telegrafi

Kosova humb me një gol diferencë në ndeshjen e dytë testuese ndaj Greqisë në hendboll

(Foto: kosovahandball.info)

Skuadra e Kosovës në hendboll (femrat) e ka luajtur të dielën ndeshjen e dytë përgatitore ndaj Greqisë, në të cilën është paraqitur pa kapitenen Leonora Demaj, e cila ka pushuar për shkak të një shqetësimi në krah.

Vajzat tona kanë humbur për një gol, 25-24, por paraqitja është vlerësuar shumë pozitive nga përzgjedhësi Agron Shabani.

Kosova edhe të shtunën luajti ndeshje përgatitore në Selanik (që e humbi me rezultat 30-26), ndërsa kthimi për në Istog është sot (e diel).

“Kemi luajtur shumë mirë, ndonëse kemi pësuar me një gol dallim, 25-24. Kanë ndikuar natyrisht disa vendime të gjyqtarëve, por për ne me rëndësi ka loja, jo rezultati. Kapitenia Demaj ka pushuar, ndërsa janë aktivizuar të gjitha lojtaret tjera”.

“Të gjitha janë paraqitur shumë mirë. Ka përmirësime të ndjeshme nga loja e parë, sidomos në mbrojtje. Tani i kemi edhe tri ditë në dispozicion për të bërë përmirësime tjera para ndeshjeve me Ishujt Faroe”.

“Në përgjithësi jam shumë i kënaqur. Ishin dy ndeshje të mirëseardhura dhe që i kemi shfrytëzuar maksimalisht”, ka thënë Shabani.