Site icon Telegrafi

Kosova e zhvillon stërvitjen e dytë dhe të fundit në ‘Fadil Vokrri’ para nisjes për Çeki

Kosova e ka mbajtur stërvitjen e dytë dhe të fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, para ndeshjes së të enjtes kundër Çekisë në Plzen.

Në stërvitje mungoi sulmuesi Vedat Muriqi, i cili tashmë është konfirmuar se nuk do të jetë në gjendje për lojë në dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese, derisa Herolind Shala ka stërvitur i veçuar nga pjesa tjetër nën përkujdesjen e trajnerit kondicional dhe stafit mjekësor.

Ata po mundohen t’ia sanojnë lëndimin e këmbës, në mënyrë që ai të jetë i gatshëm për lojë.

Atmosfera në ekip është shumë e mirë, derisa të gjithë futbollistët e tjerë punuan me përkushtim dhe intensitet të plotë në stërvitjen e sotme.

Edhe stërvitjen e sotme nga afër e ndoqën presidenti Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

Nuk munguan as tifozët që ishin në numër të konsiderueshëm në minutat e para sa ishte e hapur stërvitja, të cilët  me brohoritje i dhanë kurajë futbollistëve për këto dy ndeshje tejet të rëndësishme, të cilat mund t’i japin kualifikimin e parë Dardanëve në një Kampionat Evropian.

Exit mobile version