Mos ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike po sjell në vështirësi për qytetarët e Kosovës e po ashtu po pengon edhe zhvillimin e bizneseve. Aktualisht, vendi po përballet me një krizë energjetike si pasojë e daljes nga prodhimi të blloqeve të KEK-ut. Prandaj, kapacitetet e reja të prodhimit të energjisë elektrike janë të domosdoshme për Kosovën.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se janë duke i shikuar modalitetet për financim të projektit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Sipas tij, pas ndërtimit të TC “Kosova e Re”, çmimi i energjisë elektrike duhet të jetë i përballueshëm.
“Sigurimin e furnizimit me energji elektrike, mbajtjen e çmimeve të përballueshme për amvisëritë dhe bizneset në Kosovë dhe përmbushjen e të gjitha standardeve relevante sociale dhe mjedisore. Në këtë kohë, kur bisedimet ndërmjet Kosovës dhe investitorit po vazhdojnë, një delegacion i Bankës Botërore – i përbërë nga ekspertë të financimit të projekteve të mëdha infrastrukturore – është munduar ta sensibilizojë Qeverinë për rreziqet potenciale dhe implikimet afatgjata të kontratave që nuk hartohen sipas parimeve standarde të industrisë”, thekson Olters.
Ndarja e rreziqeve dhe beneficioneve për të gjitha palët kontraktuese – investitorin, financuesit, dhe Qeverinë – sipas tij duhet të balancohen për të marrë financimin e duhur dhe për përballimin përfundimtar të projektit.
“Me dekomisionimin e pritur të Termocentralit ‘Kosova A’ pas disa viteve, është e rëndësishme që të gjitha pjesët e strategjisë shumëdegëshe energjetike të vendit – siç janë rritja e investimeve në eficiencë të energjisë, energji të ripërtërishme dhe modernizim të rrjetit të distribuimit dhe transmisionit, si dhe përgatitja e zëvendësimit dhe rinovimit të kapaciteteve prodhuese fragjile, joeficiente dhe ndotëse – të ndiqen me një fokus dhe prioritet të madh. Gjatë periudhës afatshkurtër dhe afatmesme, asnjë investim tjetër publik nuk është aq kritik për potencialin zhvillimor socio-ekonomik të Kosovës dhe për cakun e Qeverisë për të zvogëluar shkallën e papunësisë dhe varfërisë, se sa investimet në sektorin energjetik”, ka thënë ai.
Shefi i Bankës Botërore në Prishtinë Jan Peter Olters tha se urgjenca e sfidave të ndërlidhura nuk është dhe nuk mund të jetë arsyetim për të mos qenë vigjilentë në të gjitha aspektet e përgatitjeve për investimet e kërkuara në këtë sektor.
Sipas Zyrës për Informim në MZHE, Qeveria është duke i shqyrtuar modalitetet e investimeve.
“Ky projekt asnjëherë nuk ka qenë më afër realizimit, andaj dhe besojmë që do të finalizohet me sukses. Tani kanë mbetur për t’u arritur edhe disa marrëveshje me investitorin, nga pikat e ofertës për të cilat Qeveria nuk është pajtuar. Pra, diskutimet janë në përfundim e sipër dhe besojmë që kjo do të bëhet shpejt në të ardhmen e afërt. Në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës është duke i shqyrtuar të gjitha modalitetet e investimeve të paraqitura nga ofertuesi për këtë projekt strategjik dhe me rëndësi të madhe për zhvillimin e sektorit të energjisë, me qëllim të arritjes së sigurisë së furnizimit me energji elektrike”, thuhet në përgjigjet e kësaj Ministrie për Telegrafin.
Sipas këtij njoftimi, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë në mënyrë që projekti për ndërtimin e TC “Kosova e Re” të jetë i qëndrueshëm. Ndërsa, projekti ka edhe përkrahje të vazhdueshme nga institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim.
Ndryshe Termocentrali “Kosova e Re” është paraparë të ndërtohet me dy blloqe, me kapacitet 300 plus 300 megavat për orë energji elektrike, derisa kostoja e saj mund të shkojë deri në 1.4 miliard euro. /Lulzim Ahmeti/Telegrafi/