Gjatë të dielës u shënua edhe një tjetër sukses i xhudistëve të Kosovës Kampionatin Evropian të moshave nën 23 vjeç.
Loriana Kuka e fitoi medaljen e artë në kampionatin që u zhvillua në Hungari, ku shkëlqeu nga raundi i parë deri në finale në kategorinë -78 kg. Në finale, ajo e mposhti xhudisten gjermane Christina Faberin.
Të shtunën, Akil Gjakova u shpall kampion evropian në kategorinë deri në 73 kilogramë për moshat nën 23 vjeç.
Xhudisti nga Kosova fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian U-23 në garën e zhvilluar në Gyor të Hungarisë. Duke vazhduar me formën fantastike të shfaqur gjatë këtij viti, ai fitoi me Ippon ndaj kundërshtarit nga Azerbajxhani, Rufat Mamadov.
Falë këtij suksesi të xhudistëve tanë, Kosova renditet e dyta në listën e përfaqësueseve më të suksesshme në Kampionatin e sivjetmë Evropian U-23 të xhudos.
Me dy triumfe në këtë garë, Kosova renditet vetëm prapa Rusisë që mban vendin e parë me tri fitore.
Gjeorgjia, Britania e Madhe dhe Spanja mbyllin pesë vendet e para, ndërsa në top-dhjetë bëjnë pjesë edhe Austria e Italia, me nga një medalje të artë. /Telegrafi/