Telegrafi

“Kosova duhet të lejojë autonomi për serbët në veri” – çfarë thotë artikulli i “Fox News” të cilin e shpërndau Hoti

Foto: Arkiv

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shpërndarë artikullin të mediumit amerikan, ku thuhet se presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë vizitës së fundit në Kosovë dhe Serbi kërkoi njohjen ‘de facto’ dhe autonomi për serbët.

Referuar këtij artikulli, Hoti ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti që të sqarojnë nëse kjo është e vërtetë apo jo.

Lexo po ashtu Hoti kërkon sqarim nga Osmani dhe Kurti rreth deklaratës së Von der Leyen për Asociacion

“Ja për çfarë janë pajtuar Kurti-Osmani në fillim të këtij viti. Nëse nuk është e vërtetë kjo që ka thënë znj. Ursula von der Leyen, Kryeministri dhe Presidentja duhet ta demantojnë menjëherë”, shkroi Hoti.

Por çfarë thotë artikulli i mediumit “Fox News”?

Ambiciet e Serbisë dhe Kosovës për t’iu bashkuar BE-së mund të jenë në rrezik serioz nëse dy rivalët historikë refuzojnë të normalizojnë marrëdhëniet.

Kështu nis artikulli i mediumit amerikan “Fox News”, i cili tutje vazhdon duke thënë se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen tha se Serbia duhet ta njohë de facto Kosovën dhe Kosova duhet të lejojë autonomi për serbët etnikë në veri të Kosovës.

“Deklaratat e një përfaqësuesi kaq të lartë politik kanë peshë, megjithatë, ne duhet të shohim ende nëse ato do të bëjnë një ndryshim,”.

Kështu deklaroi për Fox News Digital Helena Ivanov, bashkëpunëtore në Shoqërinë Henry Jackson.

“Deri më tani, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka qenë shumë i qartë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk është në të vërtetë në tryezë dhe Serbia e kishte të qartë se anëtarësimi në OKB për Kosovën është një vijë e kuqe. Si planifikon saktësisht BE-ja t’u bëjë presion të dyve mbetet e paqartë që palët të kalojnë linjat e tyre përkatëse”, shtoi Ivanov. /Telegrafi/