Telegrafi

Kosova dhe Shqipëria do t’i mësojnë kundërshtarët për ‘Botërorin 2022’ – detaje për shortin, formatin dhe rrugëtimin e mundshëm

(Foto: Telegrafi/FIFA)

Sot (e hënë) në zyrat e FIFA-s në Cyrih do të tërhiqet shorti për grupet kualifikuese të zonës evropiane lidhur me skuadrat përfaqësuese që do të konkurrojnë për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të vitit 2022 që zhvillohet në Katar.

Përfaqësueset anëtare të UEFA-s, 55 sosh, do ta mësojnë rrugëtimin e tyre kualifikues për turneun e madh botëror në evenimentin që do të fillojë në orën 18:00 dhe do të udhëhiqet nga gazetarja spanjolle, Cristina Gullon.

Çfarë përfshin

Në 10 grupe do të përfshihen 55 skuadra që do të garojnë për 13 vende që janë në dispozicion për përfaqësueset nga Evropa.

Formati

(Foto: FIFA/Twitter)

Janë gjashtë vazo: nga 10 skuadra në vazot 1 deri 5 dhe pesë skuadra në vazon 6.

Ekipet do të përfshihen në 10 grupe: pesë grupe nga pesë ekipe (A deri në E) dhe pesë grupe nga gjashtë ekipe (F deri në J).

Përfaqësueset do të ndeshen me njëra-tjetrën si vendas dhe si mysafir në periudhën mars-nëntor të vitit 2021.

Dhjetë skuadrat fituese të grupeve kualifikohen direkt për në Katar, ndërsa vendet e dyta luajnë në barazh.

Si funksionojnë barazhet

Dhjetë skuadrat që do të pozicionohen në vend të dytë në grupet përkatëse, si dhe dy skuadra me renditjen më të mirë në Ligën e Kombeve (e që nuk janë kualifikuar paraprakisht), do të ndahen në tri rrugëtime të barazhit (në mars të vitit 2022) për t’i plotësuar tri vendet e fundit.

Përfaqësueset dhe vazot, ku gjenden Kosova dhe Shqipëria

Ashtu siç janë përcaktuar nga renditja e fundit botërore, 10 ekipet më të mira ndodhen në vazon 1, 10 pasueset në vazon 2 e kështu me radhë. Në vazon gjashtë ndodhet përfaqësueset që konsiderohen të vogla.

Vazo 1: Belgjika, Franca, Anglia, Portugalia, Spanja, Italia, Kroacia, Danimarka, Gjermania, Holanda.

Vazo 2: Zvicra, Uellsi, Polonia, Suedia, Austria, Ukraina, Serbia, Turqia, Sllovakia, Rumania.

Vazo 3: Rusia, Hungaria, Republika e Irlandës, Republika Çeke, Norvegjia, Irlanda e Veriut, Islanda, Skocia, Greqia, Finlanda.

Vazo 4: Bosnje e Hercegovina, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bullgaria, Izraeli, Bjellorusia, Gjeorgjia, Luksemburgu.

Vazo 5: Armenia, Qiproja, Ishujt Faroe, Azerbajxhani, Estonia, Kosova, Kazakistani, Lituania, Letonia, Andorra.

Vazo 6: Malta, Moldavia, Lihtenshtajni, Gjibraltari, San Marino.

Si do të realizohet shorti

(Foto: fifa.com/BeIN Sports)

Vazo pas vazoje – fillimisht do të zbrazet vazo 1, pastaj vazo 2 e kështu me radhë, dhe skuadrat do të pozicionohen në grupe me renditje alfabetike, nga Grupi A deri te Grupi J. Megjithatë, ekzistojnë disa komplikime: kufizimet e paracaktuara për t’i mbajtur disa skuadra larg njëra-tjetrës për të shmangur përplasjet politike, udhëtimet e gjata dhe motin e keq dimëror apo ngjeshjen e ndeshjeve.

Evenimenti

U.d. i drejtorit të garave të FIFA-s, Jaime Yarza, do të jetë nikoqir, ndërsa Daniele De Rossi dhe Rafael van der Vaart do t’i zgjedhin topat. Natyrisht që si pasojë e pandemisë, evenimenti nuk do të jetë aq spektakolar dhe nuk do të ketë përfaqësues të skuadrave.

Kur fillon turneu

(Foto: Instagram/firuladoresshow)

Më 21 nëntor 2022, ekipi nikoqir do ta zhvillojë ndeshjen e parë në Al Bayt Stadium, i cili ka kushtuar 770 milionë euro.

/Telegrafi/