Site icon Telegrafi

Kosova dhe Shqipëria përfitojnë më pak fonde nga Bashkimi Evropian

Kosova dhe Shqipëria është vendi që ka përfituar më pak investime nga fondet e Bashkimit Evropian për dy sektorët kyç të ekonomisë, transportin dhe energjinë.

Këto janë fonde të ardhura si grante nga Bashkimi Evropian ose si kredi të buta nga Banka Evropiane e Investimeve.

Vendi që ka përfituar më shumë investime është Serbia, e cila në tre dekadat e fundit ka marrë plot 5.3 miliardë euro nga Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane e Investimeve, ku këto para janë përdorur për ndërtimin e rrugëve, porteve hekurudhave apo linjave energjetike.

Për të njëjtën periudhë Shqipëria ka përfituar 10 herë më pak se Serbia nga grantet dhe kreditë e buta të Bashkimit Evropian. Nga rënia e komunizmit e deri më sot Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane e Investimeve kanë disbursuar vetëm 500 milionë euro për investime në transport dhe energji. Të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë marrë më shumë.

Bosnja dhe Hercegovina ka përfituar 2.4 miliardë euro, ndërsa Maqedonia dhe Mali i Zi kanë marrë respektivisht 900 milionë euro dhe 700 milionë euro. Vetëm Kosova ka marrë më pak fonde se Shqipëria, me 300 milionë euro, por shteti i dytë shqiptar e ka nisur shumë vite më vonë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, shkruan tch.

Investimet në transport dhe energji përbëjnë kolonën më të rëndësishme të planit të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Serbia është shndërruar në përfituesen më të mëdha të fondeve për shkak edhe të pozicionit gjeografik, pasi është nyja ku kalojnë një sërë korridoresh të rëndësishme rrugore dhe energjetike. Ndërsa Shqipëria vazhdon të vuajë mungesën e kapaciteve dhe projekteve, për të përfituar më shumë nga paratë e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/

Exit mobile version