Site icon Telegrafi

Kosova dhe Serbia ende larg njëra-tjetrës në dialog, Borrell njofton për takimin e radhës në Bruksel

Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell pak para përfundimit të mandatit të tij, ka bërë të ditur se do të vazhdoj përpjekjet për hapa konkret lidhur në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell në një shkrim në EEAS, ka thënë se kryenegociatorët do të takohen javën e ardhshme në Bruksel.

“Fatkeqësisht, takimi i dialogut këtë javë nuk solli ndonjë përparim në zbatimin e marrëveshjes. Diskutimet ishin po aq të vështira sa gjithmonë dhe në fund nuk pati as një takim ballë për ballë midis Presidentit dhe Kryeministrit. Serbia ishte e gatshme të takohej, por Kosova kërkoi nga unë të përcjell një grup parakushtesh.

Aktualisht, pozicionet e të dyja palëve mbeten larg njëra-tjetrës. Megjithatë, puna do të vazhdojë: Kryenegociatorët e të dyja palëve ranë dakord të vijnë në Bruksel javën e ardhshme për të punuar në hapa konkretë për të zhbllokuar zbatimin e Marrëveshjes”, tha Borrell.

Lexo po ashtu Borell para largimit nga posti: Detyrimet Kosovë-Serbi nuk do të zhduken

Ai u shpreh se kanë bërë shumë gjatë viteve të fundit, por se procesi mund të përparojë vetëm aq shpejt sa janë të gatshme të ecin të dyja palët.

“Lehtësimi i BE-së nuk mund të arrijë më shumë normalizim se sa dëshirojnë Kosova dhe Serbia. Pas disa muajsh, njerëz të ndryshëm do të jenë përgjegjës për këtë dosje në Bruksel, por pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve Anëtare të saj nuk do të ndryshojnë. Angazhimet dhe detyrimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të zhduken”, theksoi Borrell.

Ai shtoi se në nevojitet guxim, vizion dhe vullnet politik dhe se BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në çdo hap gjatë rrugës. /Telegrafi/

Exit mobile version