Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe homologu i tij malazez Osman Nurkoviq nënshkruan sot në Podgoricë marrëveshjen bilaterale për transport ndërkombëtar të mallrave dhe njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Të dy ministrat janë pajtuar që së shpejti të hiqen edhe sigurimet kufitare të auto-përgjegjësisë mes dy vendeve, në mënyrë që qytetarët ta kenë më të lehtë dhe më të shpejtë qarkullimin në kufi.
Ministri Lekaj tha se marrëveshja në fjalë do të lehtësojë, pajisjen me leje përkatëse dhe do të ketë lëvizje me të lirë të transportueseve të të dy vendeve, por edhe me vendet e treta, duke i përdorur Kosovën dhe Malin e Zi si vende transit.
“Ne diskutuam për të ardhmen e projektit të tunelit që lidh Pejën me Rozhajën dhe lidhjes përmes hekurudhave që është një investim kapital, investime këto që sjellin përafrim e integrim të dy shteteve tona në korridore të rëndësishme të transportit ndërkombëtar. Presim që shumë shpejt të dalim me rezultate konkrete nga ekipet tona tashmë të emëruara sa i përket këtyre projekteve”, tha ai.
Në takim është biseduar edhe për largimin e barrierave administrative, siç është taksa për auto-përgjegjësinë, taksë kjo e imponuar nga ana e Malit të Zi. Ministri Lekaj tha se për modalitetet e marrëveshjes iu mbetet ministrive përkatëse të gjejnë modalitetet e duhura që kjo taksë të hiqet sa më parë, përcjell Telegrafi