Site icon Telegrafi

Kosova dhe Hungaria me marrëveshje prej 62 milionë euro

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Republikës së Hungarisë Péter Szijjártó. Hoti dhe Szijjártó kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë dhe për themelimin e një programi kornizë për bashkëpunim financiar.

Më këtë marrëveshje Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Hungarisë u dakorduan për zgjatjen reciprokisht të dobishme të marrëdhënieve ekonomike dhe promovimin e zhvillimit të bashkëpunimit.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, tha se marrëveshja e nënshkruar ka rwndwsi tw madhe.

“Sapo nënshkruam një Marrëveshje shumë të rëndësishme përmes së cilës po krijojmë themelet e para të bashkëpunimit financiar ndërmjet shtetit tonë dhe shtetit hungarez”, shtoi ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se Marrëveshja në fjalë arrin vlerën 62 milionë euro, e cila nuk krijon shpenzime të interesit për Qeverinë e Kosovës.
“Periudha e kthimit të fondeve të cilat do të huazohen në të ardhmen përmes kredive individuale për të financuar projektet specifike do të jetë 17 vite kurse grejs periudha do të zgjatë 1 vit e gjysmë duke filluar nga dita e përfundimit të projektit. Fondet të cilat do të huazohen në të ardhmen do të përdoren në sektorët e ujërave dhe trajtimin e ujërave të zeza si dhe në projekte infrastrukturore. Duke mbetur i bindur se bashkëpunimi ynë ndërshtetëror do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen, shfrytëzoj rastin ta falënderoj Ministrin Sijarto dhe Shtetin Hungarez për mbështetjen që po i japin Kosovës”, tha ministri Avdullah Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se ministrin Szijjártó janë dakorduar për zgjerimin e bashkëpunimit edhe në fusha tjera “U informova se është një linjë tjetër kreditore mbështetëse për sektorin privat që do ti mbështes bizneset hungareze dhe kosovare për të bashkëpunuar në mes vete, dhe unë do të angazhohem maksimalisht për të promovuar këtë mundësi në tregun kosovar. Ne gjatë takimit gjithashtu biseduam edhe për Marrëveshjen për Mbrojtjen e Investimeve, dhe unë do ti kërkoj koleges sime Ministres së Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami që të shqyrtoj fillimin e proceduarve për këtë Marrëveshje”, shtoi ministri Avdullah Hoti.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë Péter Szijjártó duke falënderuar Ministrin Avdullah Hoti bëri të ditur se Marrëveshja e nënshkruar sot është e bazuar në Udhëzimin e Kryeministrit.

“Siç e dini Kryeministri i Juaj e ka vizituar Hungarinë gjatë verës së këtij viti dhe kanë arritur një Marrëveshje me Kryeministrinë tonë për Marrëveshjen e nënshkruar për Kredi të dedikuar për ndihmë, e cila jepet nga Banka “EximBank” e Hungarisë për Kosovën. Gjithashtu edhe Hungaria i bashkëngjitet kësaj rëndësie që ky bashkëpunim bilateral për Kosovën, këtu shohim mundësi tjera të mëdha për kompanitë hungareze, në veçanti në fushat e trajtimit të ujërave, bujqësi dhe infrastrukturë etj. Kompanitë tona për Menaxhimin e ujit veç se kanë filluar negociatat për renovimin e rezervarit të ujit në Batllavë, për mbrojtjen nga vërshimet në jug të Kosovës, të cilat projekte mund të përfshihen, të inkuadrohen brenda kësaj Marrëveshje për Kreditë e dedikuara për ndihmë”, bëri të ditur ministri Péter Szijjártó.

Ai gjithashtu bëri të ditur se është themeluar Komiteti i përbashkët Ekonomik, takimi i parë i këtij komiteti do të ndodh në Janar për të negociuar më tej për këto projekte zhvillimore.

“Përkrah kësaj Kredi marrëveshje EXIM Bank gjithashtu ka hapur një linjë tjetër kreditore për bashkëpunim (bussiness-to-business) për bizneset kosovare dhe atyre hungareze. Kjo Marrëveshje kredi është në vlerë prej 85 milionë eurove gjithashtu me kushte të favorshme, që mund të shfrytëzohet si nga bizneset kosovare dhe ato hungareze për të kryer apo zhvilluar transaksionet e eksportit”, shtoi ministri Péter Szijjártó.

Sipas tij, kjo pako për të cilën janë dakorduar, do ti jep një nxitje të madhe bashkëpunimit ekonomik të të dyja vendeve.

“Numrat tona janë inkurajues. Bashkëpunimi ynë bilateral është i rritur është për 20% gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, dhe jemi të zotuar ta përforcojmë më tutje këtë bashkë bashkëpunim. Gjithashtu me Ministrin e Financave kemi arritur marrëveshjen për fillimin e negociatave për Marrëveshjen për mbrojtjen e Investimeve të Përbashkëta, e cila do ta kompletojë bazën kontraktuale për bashkëpunimin ekonomik”, tha kryediplomati hungarez Szijjártó . /Telegrafi/

Exit mobile version