Nga ajri e toka, një numër i madh i mërgimtarëve tashmë kanë filluar të kthehen në Kosovë. Me gjithë vështirësitë e udhëtimit, për të gjithë ata Kosova mbetet dashuria e madhe e tyre.
Ata shprehen se në vendet e perëndimit ku jetojnë gjithmonë i merr malli për Kosovën.
“Jetoj që 34 vite në Gjermani. Vijmë në Kosovë se na mungon vendi. Por edhe do t’i presim bashkatdhetarët tanë ashtu siç i kemi pritur gjatë këtyre viteve”, shprehet një mërgimtarë për për RTV Dukagjinin, për të cilin liberalizimi i vizave për Kosovën nuk paraqet ndonjë problem sa i përket aspektit të pritjes së bashkëvendësve.
“Ndoshta do të kthehem në Kosovë”, shprehet një tjetër mërgimtarë i cili sapo kishte mbërritur nga Zvicra në Aeroportin e Prishtinës.
“Nëse rregullohet puna e vizave, mund të ç’lajmërohem dhe tani të shkojë pa vizë në Zvicër”, shprehet tutje pensionisti i Zvicrës.
Derisa qytetarja nga Mitrovica e cila jeton prej 20 vitesh në Gjermani thotë se në Kosovë i pëlqen të qëndrojë pranë familjes dhe të shijojë ushqimin tradicional.
Ajo shprehet se me gjithë zemër do të ishte e gatshme të pres mixhën nëse liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.
Derisa një aktivist i çështjes kombëtare thotë se Kosova i ka munguar shumë pasi që një kohë s’kishte mundur të vijë ën Kosovë.
Por pas luftës ai thotë se ka filluar të vijë në Kosovë.
Ai megjithatë ende e ka konakun e hapur për bashkëvendësit nga Kosova.
“Kemi pritur shumë studentë në kohë të vështira. Kemi shtruar bukë sikurse në dasma”, shprehet tutje mërgimtari./Telegrafi/