Site icon Telegrafi

Kosova i bën presion Malit të Zi që t’ia ndalojë Serbisë shitjen e aseteve të ndërmarrjes kosovare

Kosova nuk ishte pjesë e marrëveshjes për çështjet e trashëgimisë së Federatës Jugosllave – dhe po përpiqet që t’ia ndalojë Serbisë shitjen e aseteve të mbetura të ndërmarrjeve të saj shoqërore në Mal të Zi.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka kërkuar për herë të dytë nga Administrata e Pasurive të Paluajtshme të Malit të Zi për ndërprerjen e kontratës së nënshkruar ndërmjet Njësisë së Likuidimit dhe Falimentimit të Serbisë dhe një shtetasi boshnjak, i quajtur Andelo Sekuloviq, për shitjen e gjashtë pronave që i përkisnin ndërmarrjes shoqërore kosovare. Ndërmarrja ishte gjithashtu e regjistruar nën administrimin e patundshmërive në Podgoricë.

Sipas AKP-së, ndërmarrja shoqërore “Kosova Export-Butcher”, me seli në Fushë Kosovë, është njoftuar me 5 prill se Ndërmarrja e Transportit dhe Prodhimit DD “Klanica”, me seli në Kralevë të Serbisë, dhe Njësia e Likuidimit dhe Falimentimit të Serbisë, e kanë nënshkruar marrëveshjen për shitjen e aseteve të Klanicës te Sekuliq më 4 mars.

Në ankesën e saj, AKP-ja thotë se është i jashtëligjshëm fakti që Njësia e Likuidimit dhe Falimentimit të Serbisë të veprojë në emër të një ndërmarrjeje kosovare.

“Klanica” është një ndërmarrje fiktive, e cila është regjistruar në vitin 1998 si shoqëri aksionare nga menaxhmenti i saj serb gjatë sundimit represiv të Serbisë [në Kosovë]. Ligjërisht, pronari i vetëm i saj është Kompania Kosovare e Privatizimit” , thotë AKP.

Mirëpo zyrtarët e AKP-së thonë se po përballen me sfida ligjore për shkak të mungesës së dokumenteve, si rezultat i dekadës së sundimit represiv serb mbi Kosovën, pasi Serbia i hoqi autonominë e Kosovës në vitin 1989 dhe më pas edhe e ndryshoi statusin e shumë ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës.

“E kemi njoftuar Drejtorinë Kadastrale të Podgoricës se në Gjykatën e Podgoricës është ende në proces një rast ndërmjet ‘Klanicës’ dhe ‘Kosova Export-Butcher’ dhe ky likuidim duhet të ndalet për shkak se procesi është ende në vazhdim”, ka thënë AKP.

Në epokën komuniste jugosllave, ndërmarrjet shoqërore u themeluan me Ligjin për Ndërmarrjet dhe Ligjin për Punën e Bashkuar të Jugosllavisë (Zakon o udruženom radu).

Formalisht, Kosova nuk ka kontroll mbi asetet e ish-ndërmarrjes së saj shoqërore jashtë kufijve të saj; në tri raste, gjykatat në Mal të Zi e kanë njohur AKP-në si pronar ligjor të pronave të këtyre ndërmarrjeve shoqërore.

Asetet e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës në Mal të Zi menaxhohen nga Njësia e Ndërmarrjeve të Patundshmërive në Podgoricë dhe nga ndërmarrjet me seli në Serbi.

Këto janë regjistruar pasi vendi i tyre i regjistrimit është ndryshuar nga Kosova në Serbi dhe statusi i tyre ka ndryshuar nga ndërmarrje shoqërore në shoqëri aksionare ndërmjet viteve 1993 dhe 1999, atëherë kur sundimit serb mbi Kosovën i erdhi fundi.

AKP-ja i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Turizmit të Malit të Zi si dhe Drejtorisë Kadastrale që të mos i pranojë kontratat serbe të transaksioneve të pronave të saj shoqërore në Mal të Zi dhe të mos lejoj asnjë ndryshim në librat kadastralë deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar nga një gjykatë në Podgoricë.

Megjithatë, Serbia ndërkohë ka vazhduar t’i shesë asetet e Kosovës në Mal të Zi, duke u njohur atje dhe i regjistruar në librat kadastralë si pronar ligjor. “Ne po i bëjmë thirrje qeverisë së Malit të Zi që t’i ndalojë këto transaksione të paligjshme”, thotë AKP.

Një tjetër ndërmarrje shoqërore kosovare, “Jatex”, nga Gjakova, ka qenë objekt i një kontesti gjyqësor në Podgoricë për “tjetërsim ilegal” për 15 vjet.

Vitin e kaluar shtetasi i Kosovës, Shaban Muja, ishte arrestuar në Prishtinë për shitjen e dy aseteve të kësaj ndërmarrjeje.

Përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si dhe duke u paraqitur rrejshëm si person zyrtar i autorizuar nga AKP-ja, Muja i ka shitur dy prona të Jatex-it.

AKP-ja ka ngritur padi për anulimin e kontratës për shitjen në gjykatën e Podgoricës dhe një proces paralel ka nisur edhe në gjykatën e Prishtinës.

Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit e Malit të Zi nuk i është përgjigjur pyetjeve të BIRN-it mbi kërkesat e AKP-së deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, ndërkohë ka thënë më 2 gusht se “Pretendimet e Kosovës nuk janë në kompetencën e qeverisë”, duke theksuar se “gjykatat duhet të vendosin” për çështje të tilla.

Sipas AKP-së, pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave, 167 prona të 45 ish-ndërmarrjeve të saj shoqërore kanë mbetur në ish-republikat jugosllave të Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Deri më tani, AKP-ja ka arritur ta pezullojë shitjen e tri pronave në Mal të Zi.

Muhamet Mustafa, profesor i ekonomisë dhe bashkëthemelues i ‘Institutit Riinvest’ me qendër në Prishtinë, thotë se Serbia po përdor dokumente për tjetërsimin e pronave për ta kërkuar pronën e Kosovës.

“Kosova ka mbajtur një qëndrim parimor se do të marrë pjesë në mënyrë proporcionale në pronësinë e aseteve të ish-federatës [jugosllave] dhe detyrimet dhe borxhet e saj”, thotë Mustafa për BIRN.

“Mirëpo ajo ende nuk ka gjetur mekanizma efektivë për t’i adresuar çështjet që lidhen me të drejtat e saj pronësore dhe asetet jashtë vendit.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990, në vitin 2001 është arritur një marrëveshje në Vjenë për çështjet e trashëgimisë së ish-federatës midis gjashtë ish republikave përbërëse.

Mirëpo, Kosova ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje; ajo nuk ishte një republikë përbërëse jugosllave dhe nuk u njoh si shtet i pavarur në vitin 2001. As Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e saj, të shpallur në vitin 2008.

Besfort Rrecaj, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se marrëveshja për çështjet e trashëgimisë bazohet në parimin e territorit dhe sipas saj pronat e paluajtshme shtetërore të shtetit paraardhës, kudo që ndodhen, i kalojnë shtetit pasardhës.

“Sa i përket pronave publike [të Kosovës] që mbeten në Serbi, ose në shtetet e tjera të ish-RSFJ-së, zbatohet parimi i territorialitetit, përveç rasteve … të pronave që kanë një rëndësi të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore,” thotë Rrecaj.

“Kosova duhet ta kërkojë pjesën e saj përmes një marrëveshjeje me Serbinë, e cila do ta përcaktonte një formulë për një pronë se si të ndahen asetet financiare dhe borxhet”, shton Rrecaj.

Mustafa thotë se kur Rezoluta 1244 u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në qershor të vitit 1999, Misioni i OKB-së mori përsipër administrimin e Kosovës dhe Republika Federale e Jugosllavisë e humbi kontrollin mbi Kosovën.

“Kosova është në përputhje me të drejtat e trashëgimisë që burojnë së pari nga Kushtetuta e Kosovës e vitit 1974, si pjesë e federatës [jugosllave], [dhe nga] shpallja e saj e pavarësisë, e cila u konfirmua si e ligjshme me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe e njohur nga organizatat kryesore ndërkombëtare, [siç janë] FMN, Banka Botërore dhe BERZH”, thotë ai.

Megjithatë, Kosova ende nuk e ka miratuar një ligj përmes të cilit ose do ta përcaktonte se Kosova e ka trashëguar ligjërisht pronën shtetërore ish-jugosllave dhe serbe, ose e ka pasuar autoritetin e UNMIK-ut për ta administruar pronën e tillë, siç përcaktohet në Rregulloren e UNMIK-ut 1999/1.

Kjo ka krijuar pasiguri juridike në lidhje me natyrën juridike të të gjitha pronave të paluajtshme të regjistruara në regjistrin e të drejtave pronësore në emër të Jugosllavisë apo Serbisë – dhe nëse Kosova ka të drejtë për një pronë të tillë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për trashëgiminë shtetërore. /Kallxo.com/

 

Exit mobile version