Site icon Telegrafi

Kosova bëhet anëtare me të drejta të plota në institutin botëror të konsulencës menaxheriale

Konsulenca vendore tashmë është akredituar nga instituti “ICMCI Global”, duke bërë Kosovën anëtaren më të re të familjes botërore të konsulencës menaxheriale, që përfaqëson 50 shtete të botës dhe dy milionë konsulentë.

Kjo njohje ndërkombëtare i ka dhënë të drejtë ekskluzive shoqatës Business Consultants Council (BCC), si institucioni i vetëm me një akreditim të tillë, që tashmë të ofrojë certifikime për konsulentë menaxherial në nivel lokal, por me njohje dhe ushtrim të ekspertizës në nivel rajonal dhe botërore.

BCC është shoqata e vetme në Kosovë, qëllimi i së cilës është promovimi dhe ruajtja e standardeve profesionale në sektorin e konsulencës, e njohur nga homologët e saj ndërkombëtarë për profesionalizmin, etikën dhe standardet e përsosmërisë. Anëtarët e BCC bashkë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim përfaqësojnë 80 për qind të komunitetit të konsulentëve vendor ndër të cilët 48 janë konsulentë menaxherial të certifikuar me titullin CMC ® Global.

Përveç certifikimeve profesionale në nivel lokal dhe ndërkombëtar, BCC ka zhvilluar platformën e parë dixhitale në rajon të dedikuar vetëm për regjistrimin dhe vlerësimin e konsulentëve vendor dhe kompanive konsulente, konsulenca.org.

Lexo po ashtu Bizneset diskutojnë rreth mundësive për shërbimet konsulente dixhitale

Lexoni veprimtarinë e BCC-së në webfaqen e institutit “ICMCI Global”. /Telegrafi/

Exit mobile version