Site icon Telegrafi

Kosova as sivjet nuk e siguron bukën e gojës

Kosova nuk do të arrijë të siguroi bukën e motmotit me rreth 84 mijë hektarë sipërfaqe të grurit sa ka në këtë vit. Nga këto të mbjella që këto ditë ka nisur edhe fushata zyrtare e korre-shirjeve, pritet të plotësohen rreth 50 për qind e kërkesave të konsumit. Kurse, pjesa tjetër me grurë dhe miell mbetet të mbulohet nga importi i vendeve të rajonit dhe si viteve tjera edhe nga Serbia.

Kështu thanë njohës të bujqësisë, edhe pse zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë i kundërshtojnëkëto të dhëna. Zyrtarë të kësaj Ministrie thanë se nga rendimentet e grurit të sivjetme pritet të mbulohen kërkesat e qytetarëve rreth 80 për qind. Sipas Shklezen Dragajt, këshilltar për medie i ministrit të Bujqësisë, fushata e korre-shirjeve po shkon duke u normalizuar pas fillimit zyrtar që është bërë të premten.

Dragaj tha për KosovaPress se sipas statistikave të kësaj Ministrie janë mbi 84 mijë hektarë në gjithë territorin e Kosovës me grurë, prej të cilave janë rreth 11 mijë fermer të cilët kanë aplikuar për mbështetje nga Ministria e Bujqësisë për subvencionim të grurit.

“Sivjet llogaritet, sipas statistikave tona janë mbi 84 mijë hektarë në gjithë territorin e Kosovës, prej të cilave janë rr eth 11 mijë fermer të cilët kanë aplikuar për mbështetje nga Ministria e Bujqësisë me subvencionim për grurë, diku 90 për qind prej tyre mjetet kanë dalë para fillimit të korre-shirjeve, në mënyrë që ne kemi dashur t’iu krijojmë një lehtësim më të madh që fermerët ti kenë mjetet para fushatës së korre-shirjeve. Po presim që edhe për një mijë aplikues të tjerë të bëhet procesi kalkulimit dhe verifikimit dhe të procedohen gjatë kësaj jave pagesat edhe për ta. I verifikimit dhe kalkulimit dhe do të dalin mjetet edhe për ta”, thekson Dragaj.

Ai theksoi se janë 44 mijë hektarë të cilat subvencionohen nga Ministria e Bujqësisë. Nga këta të gjithë, sipas tij, janë mbështetur me nga 150 euro për hektarë që përbën një rritje në krahasim me vitin e kaluar të cilat kanë qenë 125 euro për hektarë. “Nuk mund ta dimë saktë për shkak se Komisioni i cili është për monitorimin e fushatës në kuadër të ministrisë aty bëjnë pjesë edhe drejtoritë komunale dhe shoqatat bujqësore, natyrisht do të nxirret raporti javor se si po shkon procesi. Llogaritet diku zakonisht nëpër vite 3.5 deri 4 ton për hektarë, mirëpo nuk dëshirojmë të japim të dhëna se është kaq, ose kaq, për shkak se varet jo veç nga ato sa janë mbjellë, mirëpo edhe prej kushteve atmosferike”, tha Dragaj.

Ndërsa, profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci, theksoi për KosovaPress se në bazë të kërkesave të popullatës që janë në Kosovë, nga këto sipërfaqe kultivuese sa janë sivjet më grurë, sondazhet e realizuar në terren premtojnë se diku rreth gjysma e ushqimit përkatësisht 50% siguron Kosova bukën.

“Sa i për ketë kërkesave të popullatës që janë në Kosovë, nga këto sipërfaqe kultivuese sa janë sivjet më grurë, sondazhet të cilat i kemi realizuar në terren premtoj së diku rreth gjysma e ushqimit përkatësisht 50 për qind të nevojave ushqyese për produktin bazë miellin e grurit mund të plotësohe n nga prodhimi vendor”, tha Rusinovci.

Edhe në komunë e Lipjanit ka filluar fushata e korre-shirjeve në parcela individuale, ndërsa faza intensive pritet në këtë javë.

Drejtori i Bujqësisë në komunën e Lipjanit, Feti Krasniqi, tha për KosovaPress, se sivjet janë të mbjella 5 mijë hektarë sipërfaqe me grurë në këtë komunë. Në këtë fushatë do të angazhohen 150 ato-kombajna dhe mendohet që diku për 20 ditë në rrethana normale fushata mund të përfundoj. Ai pret se me këto sipërfaqe komuna e Lipjanit siguron bukën e motmotit.
“Fermerët të cilët i kanë përfillë kriteret duke mbjellë kulturën e grurit…mendojë që rendimentet sillen nga 4 tonë për hektarë e tutje, ndërsa te ata që nuk i kanë përfillë këto kritere besoi që rendimenti do të jetë më i ulët. Përfundimisht mund të them se cilësia e drithërave në 90 për qind është e mirë”, tha Krasniqi.

Kurse, bujku i cili sot korrte grurin e tij në fshatin Rufc të Lipjanit, Blerim Asllani u shpreh i kënaqur me rendimentet e grurit dhe cilësinë. Asllani ka të mbjella rreth 40 hektarë sipërfaqe me grurë në këtë regjion. “Kemi filluar qysh sot me korrjen e grurit dhe jemi ndarë të kënaqur, parashihet diku deri 5 tonë për hektarë. Kemi filluar sot me korrjen e këtij potezi deri në 10 hektarë, pastaj kemi edhe parcela të tjera që është sort që shkon pak më vonesë për pjekje dhe po shpresojmë që brenda këtyre dy tri ditëve të fillojmë edhe me ato… Koha është e mirë parashihet sivjet me pas rendimente të mira, është një mesatare diku 5 tonë për hektarë dhe natyrisht që jemi të kënaqur edhe ne si fermer”, tha Asllani.

Bujku nga Lipjani shprehet i kënaqur me subvencionet që e ka mbështetur Ministria e Bujqësisë, 150 euro për hektarë.

“Kemi marrë subvencionet sivjet edhe jemi më të kënaqur, sepse është edhe rritja prej 25 euro më shumë. Sivjet është 150 euro për hektarë dhe natyrisht që është një ndihmës e madhe për ne fermerët. Cilësia është shumë e mirë… Gruri sivjet ka një lagështi tejet të mirë, e cila parashihet të jetë 11 – 12 për qind jo më e lartë”, tha Asllani.

Ndryshe, zyrtarisht ka filluar fushata e korrje-shirjeve në Suharekë dhe Prizren me një intensitet më lartë por jo edhe në të gjitha komunat e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version