Transparency International sot publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2024.
Ky indeks që përfshin rezultatet për 180 shtete të botës shpërfaqë nivelet e perceptimit të korrupsionit në sektorin publik duke bazuar në raporte kredibile të organizatave globale si Banka Botërore, Freedom House, World Justice Project, Bertelsmann Foundation Transformation Index, Varieties of Democracy, Global Insights Country Risk – shumica e të cilave janë publikuar në vitin 2023.
“CPI këtë vit tregon se mbi gjysma e vendeve të botës qëndrojnë nën mesataren globale që është 43 pikë dhe shumica e tyre nuk kanë bërë progres në luftimin e korrupsionit në sektorin publik.
Regjioni i Evropës Juglindore dhe Azisë Qendrore ku bën pjesë edhe Kosova, është regjioni me mesataren gati më të ulët në botë, kryesisht për shkak të problemeve të theksuara me sundimin e ligjit, autokracinë në rritje, cenimin e mediave të lira dhe institucionet e dobëta demokratike”, thuhet në komunikatë.
Kosova për vitin 2024 ka shënuar 44 pikë dhe është renditur e 73-ta në ranglistën botërore. Në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ajo është renditur pas Malit të Zi dhe ka lënë pas Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Që nga viti 2012, kur Kosova është bërë pjesë e vlerësimeve të CPI, progresi i saj ka qenë i vazhdueshëm por i ngadaltë, me gjithsej 10 pikë në 12 vitet e fundit.
Mali i Zi 46 pikë – vendi 65
Kosova 44 pikë – vendi 73
Shqipëria 42 pikë – vendi 80
Maqedonia e Veriut 40 pikë – vendi 88
Serbia 35 pikë – vendi 105
Bosnjë e Hercegovina 33 pikë – vendi 114
Pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe krijimit të institucioneve të reja qeverisëse, KDI degë e Transparency International në Kosovë kërkon që lufta kundër korrupsionit të vendoset si prioritet dhe të udhëhiqet nga një strategji kombëtare efektive e përcjellë me resurse të nevojshme financiare.
KDI kërkon nga institucionet që llogaridhënia dhe trasparenca në sektorin publik të përbrendësohen si standarde bazike të qeverisjes së mirë në mënyrë që të parandalohet shpërdorimi i resurseve publike, nepotizmi dhe disbalansi midis pushteteve. /Telegrafi/