Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, në 20 vjetorin e sulmeve të NATO-së mbi caqet serbe, ka bërë thirrje që thirrje Kosova dhe Serbia të rinovojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të pagjeturve dje të nxjerrin para drejtësisë ata që kanë kryer krime të luftës .
Ambasadori amerikan, përmes një videomesazhi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështetën NATO-në si domosdoshmëri dhe legjitime si një mjet i fundit për t’i dhënë fund fushatës së pastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore.
“Njëzet vjet më parë, SHBA-ja dhe aleatë të tjerë të NATO-së intervenuan për të ndaluar një katastrofë humanitare që po shfaqej në Kosovë. Ky përvjetor na nxit të reflektojmë mbi koston njerëzore dhe për dhimbjen që e ndajmë edhe sot”, tha ambasador Kosnett në mesazhin e tij, përcjell Telegrafi.
“Shtetet e Bashkuara mbështetën NATO-në si domosdoshmëri dhe legjitime si një mjet i fundit për t’i dhënë fund fushatës së pastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore”.
“Shtetet e Bashkuara vepruan në mbështetje të civilëve të pambrojtur. Ne vepruam për të ruajtur paqen, lirinë dhe stabilitetin në rajon. Këto qëllime pasqyrojnë vlerat e thella amerikane. Ne besojmë se të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike ose fetare, e meritojnë të jenë të lirë dhe të sigurt”, tha ai.
“Në këtë përvjetor, kujtojmë qindra mijëra njerëz të pafajshëm të larguar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra prej tyre pësuan dëme ose humbën jetën. Ne kujtojmë, dhe ne mbajmë zi për çdo jetë të humbur”.
Kosnett thotë se “trauma fizike dhe psikologjike vazhdon të rëndojë mijëra viktima dhe anëtarë të familjes”.
“Pra, sot, përveç reflektimit – unë kërkoj veprime. Unë e inkurajoj Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë që të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre – të të gjitha nacionaliteteve dhe komuniteteve – të kenë qasje të plotë në informacionin për fatin e atyre që ende mbeten të zhdukur. Dhe unë u bëj thirrje të dy qeverive të rinovojnë përpjekjet për të ndjekur drejtësinë për viktimat e krimeve të kohës së luftës”.
“Vetëm përmes përballjes me të kaluarën e tyre, populli i Kosovës dhe Serbisë shpresojnë të ndërtojnë shoqëri ku të gjitha komunitetet jetojnë së bashku në paqe dhe dinjitet”, ka thënë Kosnett. /Telegrafi/