Telegrafi

Kosnett: Serbët në Kosovë meritojnë njerëz që avokojnë interesat e tyre, përmes institucioneve

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një postimi në Twitter ka konfirmuar takimin me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Siç ka bërë të ditur ambasadori amerikan, përcjell Telegrafi, ai ka pasur “biseda produktive në Mitrovicën Veriore me udhëheqjen e Listës Serbe”.

“Komuniteti serb në Kosovë meriton përfaqësues të cilët marrin pjesë aktivisht në institucione për të avokuar për interesat e tyre”, ka shkruar tutje Kosnett.

Ndryshe, siç ka raportuar më herët Telegrafi, Kosnett është pritur nga kryetari i pjesës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq dhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq.

Nën shoqërimin e Rakiq dhe Simiq, Kosnett ka bërë edhe një xhiro në sheshin ‘Car Llazar’, ku së bashku me të dy është ndalur në një kafene në këtë shesh. /Telegrafi/