Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka marrë pjesë sot në takimin e Nivelit të Lartë të Sundimit të Ligjit, ku ka thënë se Kosova ka ligjet dhe burimet e nevojshme për të luftuar korrupsionin, por problemi është te politika.
Ambasadori Kosnett ka thënë se në takimin për sundimin e ligjit, me Kryeministrin Haradinaj, ka dëgjuar se Kosova ka ligjet burimet e nevojshme për të luftuar korrupsionin dhe implementimin e barabartë të drejtësisë për të gjithë për të gjithë qytetarët, pa tretman special për ndonjë kategori të caktuar.
“Por, problemi nuk është te ligjet, problemi është politika. Amerikanët flasin për shkak të përkushtimit që kanë për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë ambasadori Kosnett, përcjell Telegrafi.
Kosnett ka pyetur “A do t’i kthejnë liderët kosovarë fjalët në vepra dhe të ndalojnë ndërhyrjet në punësime, si dhe të zhvillojnë procese të drejta gjyqësore?”.
“A besojnë qytetarët e Kosovës në demokracinë e shtetit të tyre, aq sa të kërkojnë të ndërmerren veprime?”, pyeti ai.
Ambasadori amerikan ka thënë se gjatë takimit të sotëm është vërejtur mungesa e grave, duke thënë se “Kosova do të ketë sukses kur gratë të udhëheqin”. /Telegrafi/