Telegrafi

Kosnett dhe ministri Mehaj: Të intensifikohet bashkëpunimi në mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti sot në takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Ministri Mehaj shprehu mirënjohjen e thellë për SHBA-në në mbështetjen e pazëvendësueshme për Kosovën në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ai, gjithashtu, theksoi se mbështetja e deritashme e SHBA-së ka qenë jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së, që u kurorëzua edhe me pjesëmarrjen e kontingjentit të parë të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake amerikane.

Në njoftim thuhet se ministri Mehaj e njoftoi ambasadorin Kosnett edhe me objektivat  kryesore të tij duke shprehur vullnetin për realizimin e tyre në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me SHBA-në dhe vendet tjera partnere.

Ai theksoi se FSK është dhe do të jetë forcë profesionale me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s nën kontrollin civil demokratik dhe gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim dhe në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Ndërkaq, ambasadori Kosnett, premtoi se SHBA, përmes bashkëpunimit me Armatën e SHBA-ve, Gardën Kombëtare të Ajovës, dhe programeve tjera, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve partnere në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. /Telegrafi/