Telegrafi

Korenica: Ka njerëz të shqetësuar brenda LVV-së për raportet Kosovë-SHBA

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica ka thënë se vërejtjet publike që bëhen nga zyrtarët e lartë të SHBA-së merren me shumë shqetësim nga ta.

Korenica në RTV Dukagjini ka thënë se nuk janë komod në lidhje me raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk jemi komod në raportet që po mbretërojnë mes Kosovës dhe SHBA-së. Ka njerëz në LVV që janë të shqetësuar kur kemi këtë lloj jo pëlqyeshmërie që partnerët tanë të SHBA-së i bëjnë publike. Vërejtjet e SHBA-së i marrim me shqetësim duke kërkuar rrugëdalje nga situata”.

Korenica thotë se jo çdo vendim që merret nga Qeveria bëhet në koordinim me partnerët.

Lexo po ashtu Hovenier: Jemi të pakënaqur me cilësinë e partneritetit tonë me Kurtin

“Vendimmarrja bëhet ne Qeveri ku deputetët nuk janë për gjithçka të informuar. Edhe vendimet kur merren jo për gjithçka njoftohen menjëherë partnerët tanë, por kjo nuk do të thotë se kemi vepruar fshehtas”.

Deputeti i shumicës thotë se janë brengosëse situatat që krijohen në raport me Amerikën.

“Edhe në forumet brenda partisë ku prezantojmë si brengosëse i trajtojmë këto raporte”, ka deklaruar tutje Korenica./Telegrafi/