Site icon Telegrafi

Koreja e Veriut dërgoi 13,000 kontejnerë që besohet se mbanin armë në Rusi

Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë të paktën 13,000 kontejnerë transporti që besohet se mbanin armë që nga mesi i vitit 2022, njoftoi të martën agjencia koreano-jugore e lajmeve Yonhap, duke cituar një raport të inteligjencës ushtarake dorëzuar ligjvënësve në vendin e Azisë Lindore.

“Për t’u përgatitur për një luftë të zgjatur në Ukrainë, Rusia ka lëvizur për të zyrtarizuar Korenë e Veriut si një bazë furnizimi për armë dhe municione”, ka thënë agjencia e inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut, cituar nga Yonhap.

Sipas raportit, kontejnerët kishin kapacitetin për të mbajtur më shumë se 6 milionë predha artilerie 152 milimetrash, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Analistët ushtarakë thanë më parë se Ponyang mund të ketë dërguar edhe mortaja 120 mm, predha artilerie 122 mm dhe raketa 122 mm në Rusi.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj akuzojnë Korenë e Veriut se ka furnizuar me municion dhe raketa Rusinë për luftën e saj kundër Ukrainës.

Moska dhe Pheniani i kanë mohuar akuzat.

Megjithatë, gjatë një vizite në Korenë e Veriut në fillim të kësaj vere, presidenti Vladimir Putin nënshkroi një marrëveshje të ndërsjellë të mbrojtjes me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Putin ka kërcënuar gjithashtu se do t’i dërgojë armë Phenianit lidhur me ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën, duke bërë që Uashingtoni dhe Seuli të shprehin shqetësim për potencialin për të destabilizuar Gadishullin Korean.

Moska besohet se është e interesuar të blejë municion të Koresë së Veriut për të vazhduar luftimet në Ukrainë, ndërsa Pheniani kërkon ndihmën e Rusisë në zhvillimin e programit të saj raketor dhe teknologjive të tjera të avancuara ushtarake. /Telegrafi/

Exit mobile version