Një delegacion i nivelit të lartë nga Koreja e Jugut do të informojë Këshillin e Atlantikut të Veriut për vendosjen e trupave të Koresë së Veriut në Rusi, ka njoftuar NATO.
Bëhet e ditur se kjo lëvizje vjen pasi SHBA-ja shprehu shqetësim të madh për përdorimin e mundshëm të trupave kundër Ukrainës.
“Ambasadorët nga partnerët Indo-Paqësor të NATO-s – përfshirë Australinë, Japoninë, Zelandën e Re dhe Republikën e Koresë – janë ftuar të marrin pjesë”, tha NATO.
Siç raportohet, Këshilli i Atlantikut të Veriut është organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, inteligjenca ushtarake ukrainase tha se rreth 12,000 trupa të Koresë së Veriut, duke përfshirë 500 oficerë dhe tre gjeneralë, ndodheshin tashmë në Rusi dhe trajnimi po zhvillohej në pesë baza ushtarake.
Duke folur në të njëjtën ditë, presidenti rus Vladimir Putin nuk e mohoi se trupat e Koresë së Veriut ishin në Rusi.
Por ai tha se ishte punë e Moskës se si të zbatonte një traktat me Phenianin që përfshin një klauzolë të mbrojtjes reciproke për të ndihmuar njëri-tjetrin kundër agresionit të jashtëm. /Telegrafi/