Ushtria e Koresë së Jugut ka deklaruar se ka zbuluar shenja të përgatitjes së Koresë së Veriut për të dërguar më shumë trupa dhe armë – përfshirë dronë – në Rusi.
Bëhet e ditur se Koreja e Veriut ka siguruar tashmë raketahedhës të shumëfishtë dhe obusë vetëlëvizës dhe është parë duke u përgatitur për të prodhuar më shumë dronë për t’i dërguar në Rusi, sipas Shtabit të Përbashkët të Seulit (JCS).
“Dronët vetëvrasës janë një nga detyrat në të cilat është fokusuar Kim Jong Un”, tha një zyrtar i JCS.
Drone të tillë janë përdorur gjerësisht në luftën e Ukrainës dhe Kim urdhëroi një prodhim masiv të armëve, duke përmendur konkurrencën në rritje globale.
Seuli, Uashingtoni dhe Kievi kanë njoftuar se ka rreth 12,000 trupa të Koresë së Veriut në Rusi, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
JCS tha se të paktën 1,100 prej tyre ishin vrarë ose plagosur, në përputhje me konferencën e javës së kaluar nga agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut, e cila raportoi rreth 100 vdekje dhe 1,000 të tjerë të plagosur në rajonin e Kurskut.
Ekziston gjithashtu një mundësi që Veriu të testojë një raketë hipersonike me rreze të mesme veprimi rreth fundit të vitit përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, duke dërguar më shumë balona plehrash në Jug, sipas zyrtarit.
Ndryshe, Koreja e Veriut ka lëshuar mijëra balona me plehra që nga fundi i majit, duke u arsyetuar se po i përgjigjej balonave të Jugut me fletushka “propagandistike”.
“Me mbështetjen e Rusisë, ata ka të ngjarë të përpiqen të organizojnë provokime të ndryshme strategjike vitin e ardhshëm, të tilla si lëshimi i raketave balistike ndërkontinentale dhe kryerja e një testi bërthamor”, përfundoi zyrtari i JCS. /Telegrafi/