Presidenti amerikan, Donald Trump, është kapur nga kamerat duke përshëndetur një gjeneral të Koresë së Veriut gjatë samitit të tij me Kim Jong-un në Singapor këtë javë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, presidenti ishte duke u prezantuar me anëtarët e lartë të delegacionit të Koresë së Veriut, kur ai shkoi për të shtrënguar duart me gjeneralin, në vend të së cilës gjë, ky i dyti e ngriti dorën – në një përshëndetje ushtarake.
Trump pastaj ngre dorën e tij, pas së cilës gjë edhe përshëndeten.
Megjithatë, pyetja që shtrojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, është nëse presidenti amerikan ka shkelur protokollin.
Dhe së paku sipas asaj që shkruan DailyMail, përshëndetja e një gjenerali nga një vend armiqësor është një shkelje e protokollit për një President të SHBA-ve.
Gjenerali në fjalë duket të jetë Ri Yong-gil, i cili më parë u raportua se ishte ekzekutuar nga Kim, por javën e kaluar u promovua te shefi i shtabit të përgjithshëm.
Të tjerët që takuan Trumpin ishin Ri Yong-ho, ministri i jashtëm i Kim, si dhe Ri Su-yong, nënkryetar dhe drejtor i Departamentit të Çështjeve Ndërkombëtare të Koresë së Veriut.
Pamjet u kapën nga kamerat e televizionit qendror në pronësi shtetërore dhe u transmetuan për audiencë brenda Koresë së Veriut të enjten.
Këto pamje video thuhet se janë të parat që koreano-veriorët kanë parë rreth samitit mes Trump dhe Kim, megjithëse imazhe janë botuar më parë nga gazeta Rodong Sinmun.
Pamjet të cilat u transmetuan nga prezantuesi i lajmeve i preferuar i Kim, Ri Chun-hee, përfshinë edhe pamjet e diktatorit që pushonte brenda hotelit të tij dhe duke bërë një turne në Singapor.
Për shumicën e koreanëve të zakonshëm të Veriut, kjo video ka të ngjarë të jetë hera e parë që ata kanë parë një qytet të huaj. /Telegrafi/