Telegrafi

Korab Sejdiu: Në këtë kohë do të mbes deputet i pavarur – as me LDK e as me VV

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, ka hedhur poshtë zërat për një aderim të mundshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas dorëheqjes së tij nga anëtarësia në Aleancën Kosova e Re.

Ish-anëtari i partisë së Behgjet Pacollit ka thënë se do të vazhdojë të qëndrojë si deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.

“Mund të ketë pasur një keqkuptim, sepse unë kam raporte të shkëlqyeshme edhe me deputetët e LDK-së dhe të Vetëvendosjes, dhe natyrisht për shkak të këtyre raporteve ka pasur aludime se do t’i bashkohem njërit ose tjetrit grup parlamentar. Por, prapë po e theksoj se do të qëndroj si deputet i pavarur në këtë kohë”, ka thënë Sejdiu për ‘Indeksonline’.

Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozicionet në AKR pas krijimit të koalicionit qeveritar PAN-AKR.