Komedia “Kopraci” e Teatrit të Korçës, vepër e Molierit me regji nga Dhimitër Orgocka, solli në skenë me rolin e Harpagonit aktorin 92-vjeçar Koço Qëndro.
Koço Qëndro në fillim të viteve 1960 zgjidhet si një ndër aktorët themelues që krijuan trupën e Estradës Profesioniste të Korçës. Që nga krijimi i saj e derisa doli në pension, në mbi 120 premiera realizoi një mori figurash, duke luajtur në llojet e shkurtra të teatrit të varietesë, si skeçe, pantomime, dialogë, monologë, parodi e kuplete.
Harpagonin e luajti dy herë më parë: më 1976 dhe 29 vjet më vonë më 2005, kur edhe fitoi çmimin si “Aktori më i mirë” në festivalin “Apollon” të Fierit.
Në komedinë “Kopraci” Molieri demaskon me forcë të madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet koprracinë që ishte tipar karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon si një ves të ulët me pasoja shumë negative. Harpagoni koprac e fajdexhi jeton nën ethen e parave. Ai ka humbur dinjitetin e ndjenjat prindërore dhe dashurinë e fëmijëve. Këta të fundit jo vetëm që s’e duan më, por edhe e urrejnë. Harpagoni mbetet një nga figurat më negativë, antipatikë e njëkohësisht qesharake që ka krijuar pena e Molierit. /atsh/