Site icon Telegrafi

Koordinatori i DASH për Anti-korrupsion: Ramiz Merko është përfshirë në afera të mëdha korruptive

Koordinatori i Departamentit Amerikan të Shtetit për Antikorrupsionin, Richarh Nephew, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka folur në lidhje me përcaktimin e kryetarit të Strugës Ramiz Merko, për “non grata” nga Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se ky vendim është marrë pasi sekretari i shtetit ka pasur informacione të besuesme, që sugjeronin se Merko është përfshirë në afera të mëdha korruptive.

“Vendimi u mor sepse sekretari i shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se zotëri Merko ishte i përfshirë në korrupsion madhor. Dhe kështu sipas ligjeve, kur sekretari arrin në përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm, siç ndodhi sot. Informacionet që u publikuan si pjesë e njoftimit për shtyp, tregojnë se bëhet fjalë për përvetësim fondesh dhe ndërhyrje në procese gjyqësore. Ky është informacioni që mund të bëjmë publik për këtë rast”.

Lexo po ashtu Departamenti Amerikan i Shtetit shpall “non grata” kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko

“Shpresoj që ky vendim do të ndihmojë Qeverinë e RMV-së përpjekjet e saj për të vazhduar të luftojë korrupsionin. Një nga qëllimet kryesore të këtyre përcaktimeve është për të treguar mbështetjen tonë për luftimin e korrupsionit. Ne mendojmë se ndihmojmë mbështetjen e zbatimit të ligjeve”, tha Nephew.

I pyetur nëse vendimet e DASH ndikohen nga ajo nëse personat janë në pushtet ose janë ish-zyrtarë, ai tha se kjo nuk ka aspak rëndësi.

“Kjo ka të bëjë me pikëpamjet ligjore, ligji thotë se kur sekretari ka informacione ai është i detyruar të zbatojë sanksione. Nëse dikush është zyrtar ose ish-zyrtar, kjo nuk ka rëndësi në atë që na detyron ligji të bëjmë”, tha Nephew.

Ndryshe, sot DASH e shpalli të padëshiruar kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion madhor./Telegrafi/

Exit mobile version