Site icon Telegrafi

Kooperativa Bujqësore “Krusha” – 14 vite më parë kishte nisur si iniciativë personale, sot ka 55 punëtorë

Me pesë shtator të këtij viti, si pasojë e energjisë elektrike, punëtoria e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, kishte marrë zjarr, duke e stopuar në masë të madhe vlugun e madh të punës së kësaj fabrike, por fatmirësisht krejt kjo avari nuk kishte pasoja në njerëz.

Kështu ka treguar për Telegrafin, drejtoresha e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, Fahrije Hoti, e cila ka thënë se dëmi i vlerësuar ka kaluar mbi 100 mijë euro.

“Unë nuk kam qenë këtu kur a kam marrë lajmi, dhe padyshim që jam shqetësuar, por kur e kam kuptu që nuk ka pasoja ne njerëz dhe të gjithë njerëzit në fshat po bëjnë përpjekje që ta ndalin zjarrin në kooperativë ka qenë për mua lehtësim i madh”, ka shtuar Hoti.

Ajo ka theksuar se pak ditë më pas, ambasada gjermane në Prishtinë, përmes ambasadorit ka dhuruar 100 mijë euro, të cilat sipas saj, janë ndihmë jetike për këtë biznes, pas avarisë që ka ndodhur.

“Mua më ka brengosur shumë disa zëra që i kam dëgjuar që kanë thënë se kjo avari është shkaktuar nga vet gratë që janë pjesë e kooperativës. Kjo ka qenë shumë fyese për ne, dhe mendoj se këtë propagandë e kanë bërë njerëz që janë shumë të ulët”, ka thënë Hoti.

Sipas saj, pavarësisht dëmit që i është shkaktuar punëtorisë së kooperativës “Krusha”, gratë kaun vazhduar punën për t’i plotësuar kërkesat e kontraktorëve, respektivisht konsumatorëve për produktet e tyre.

Biznesi të cilin e drejton Fahrije Hoti tashmë përveç tregut vendor po merr pjesë edhe në tregjet më të fuqishme të Evropës, duke filluar nga Zvicra, Gjermania, Italia, Suedia, Austria, dhe shumë shpejt presin që të kalojnë edhe më tej Atlantikut, duke marrë pjesë me produktet e tyre edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ndryshe, ambienti i kësaj kooperative është kthyer në një hapësirë ku gratë përveç që gjenerojnë të ardhura me të cilat i ushqejnë familjet e tyre, njëkohësisht shkëmbejnë biseda dhe socializohen në mes tyre, si mundësi e mirë për tu larguar nga rutina ditore dhe trishtimi që e kishin kaluar dy dekada më parë.

Fshati Krushë ka qenë ndër vendbanimet më të prekura nga lufta në Kosovë, ku gjatë vitit 1999 ishin vrarë mbi 240 burra, me ç’rast kanë mbetur rreth 150 gra të veja, mbi 500 fëmijë jetim, por duke shkaktuar edhe shumë dëme tjera materiale. /Telegrafi/

Exit mobile version