Telegrafi

Konventa e Arsimit e LDK-së: Prezantohet në hollësi reforma arsimore që do të ndërmarrë Lidhja

Sot, u mbajt Konventa e Arsimit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kandidatja për kryeministre e Lidhjes Demokratike të Kosovës  Vjosa Osmani dhe eksperti i arsimit profesori  Xhavit Rexhaj shpalosën pikat kryesore të programit reformues të arsimit të LDK-së.

Në Konventë mori pjesë Kryetari i Lidhjes Demokratike, Akademik Isa Mustafa, i cili i dha përkrahje programit, masave dhe ekipit të LDK-së dhe të kandidates Vjosa Osmani.

Konventa i zhvilloi punimet me prani të kandidatëve për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, zyrtarëve arsimorë, drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve, veteranëve të arsimit dhe mysafirëve të tjerë të shumtë.

Në ekspozeun e saj, Osmani tregoi përkushtimin e saj dhe të qeverisë së LDK-së, që do të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, për arsim cilësor, për fëmijët, të rinjtë dhe për familjen kosovare.

Në vijim, kandidatja për kryeministre i prezantoi parimet dhe kahet kryesore të reformimit të arsimit në Kosovë nga programi i saj, duke insistuar në nevojën për mobilizimin e të gjithëve për avancimin e arsimit.

Avdullah Hoti prezantoi para pjesëmarrësve të shumtë aspektet financiare të zhvillimit të arsimit, duke theksuar se LDK do të shtojë investimin në arsim për 50 % mbi nivelin e tanishëm.

Nga anëtarët e Këshillit të Arsimit të LDK-së, Xhavit Rexhaj prezantoi më shumë hollësi për reformën arsimore që do të ndërmarrë LDK për të përmirësuar dhe konsoliduar arsimin në katër vitet e mandatit të parë qeverisës.

Konventa mbylli punimin me dakrodimin e pjesëmarrësve se kërkohet mobilizim për përmirësimin dhe konsolidimin e sistemit të arsimit në Kosovë.