Telegrafi

Kontrata që dëmton buxhetin për 312 mijë euro

Për 312 mijë euro Fondi i privatizimit është më i mangët brenda një viti për shkak të një kontrate të nënshkruar në mes të AKP-së dhe kompanisë “IP Kos” për lëshimin 10 pompave të benzinës me qira, shkruan sot Koha Ditore.

AKP-ja arkëton nga kjo kontratë 51 mijë e 700 euro në baza mujore, apo 620 mijë e 400 euro brenda një viti.

Por ofertat më të larta për marrjen me qira të 10 pikave të shitjes së karburanteve ishte 77 mijë euro në muaj, apo 912 mijë euro në vit.

Të gjitha ofertat më të larta për marrjen me qira janë hedhur poshtë nga AKP-ja, duke u bazuar në kritere të cilat ata i kanë vendosur vetëm pas hapjes së ofertave.

Në njoftimin e parë të AKP-së për lëshimin e 10 pikave të shitjes së karburanteve nuk është specifikuar se si duhet të ofertohet (oferta grupore apo individuale), por nuk është njoftuar as se cili do të jetë kriteri i dhënies së kontratës.

Në këtë njoftim përveç dhjetë pikave të shitjes së karburanteve dhe lokacionit të tyre kanë qenë edhe dy paragrafë për personat që u ndalohet të marrin pjesë në këtë tender. /Telegrafi/