Agjentët francezë kanë mbërritur në Tiranë për të marrë në pyetje të arrestuarit si pjesë e rrjetit të kontrabandës për shitjen e floririt nga Parisi në Shqipëri. Mësohet se si pjesë e hetimit të përbashkët, agjentët francezë në ambientet e Strukturës së Posaçme morën në pyetje disa prej shtetasve shqiptarë të arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme në datën 16 Qershor.
Ata kërkuan të dhëna mbi rolin e gjithsecilit dhe njohjet që këta persona kanë me të tjerë shtetas të identifikuar në Francë.
Në bazë të hetimeve në këtë trafik të jashtëligjshëm ndërkombëtar, u zbuluan dy grupe.
Grupi i parë vepronte në Francë ku bazën e kishte në një hotel ku grumbulloheshin shumat monetare dhe sendet e vjedhura.
Prej andej, ato merreshin me mjete transporti nga kompani transporti dhe futeshin në Shqipëri.
Vlerat monetare përdoreshin për blerjen e sendeve në Francë dhe shitjen e tyre në vendin tonë.
SPAK thotë se ky grup ka kaluar ilegalisht mbi 2 milionë Euro dhe 35 mijë Franga, si dhe 3.4 kg sende të çmuara flori.
SPAK ka ngritur 12 akuza të ndryshme për 16 personat që i konsideron si pjesë e një grupi, teksa ata kanë mohuar akuzat në dy shkallë të gjyqësorit.
Gjykata la në arrest në burg pesë persona, në mesin e të cilëve edhe ish-shoferin e Ardi Veliut, Sokol Idrizajn. Ndërsa të akuzuarit e tjerë në arrest shtëpie./TV Klan