Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në një fshat të Kurbinit po raportohet për dy pista kryesore të hetimit në kantierin e ndërtimit në fabrikën e inerteve.
Grupi hetimor ka dyshime se objektivi i vrasësve ka qenë pronari i firmës, A.Gj, ndërsa ekonomisti u vra gabimisht.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton se shkak për vrasjen dyshohet se është hakmarrja me një fis në Rrëshen, ndaj të cilit janë kryer atentate, dhe i biri i pronarit dyshohet i përfshirë.
Një pistë më e zbehtë hetimore janë konfliktet për shkak të biznesit, të cilat po verifikohen.
Për sa i përket dinamikës, vrasja është kryer me kallashnikov. Autorët janë futur brenda rrethimit të firmës dhe kanë hapur zjarr. Ata janë larguar nga vendngjarja me dy makina, një fuoristradë (xhip) dhe një veturë.
Atentati ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Gurez. I vdekur mbeti ekonomisti i kësaj firme S.M, 70 vjeç, ndërsa u plagos pronari A.Gj 51 vjeç.
A.Gj ndodhet në spital dhe jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve për Top Channel, ai u qëllua me dy plumba që kanë hyrë dhe kanë dalë nga trupi. /Tch/Telegrafi/