Sipas një studimi të ri shkencor në SHBA, njerëzit që hanë të paktën dy racione avokado në javë (çdo porcion është gjysmë avokado) kanë një rrezik më të ulët kardiovaskular, sesa ata që hanë avokado rrallë ose kurrë.
Studiuesit analizuan të dhënat nga gati 69.000 gra të moshës 30-55 vjeç dhe 41.700 burra të moshës 40-75 vjeç pa kancer, sëmundje koronare të zemrës ose goditje në tru në fillim të studimit. Ka pasur 9.185 raste të sëmundjes koronare të zemrës dhe 5.290 goditje gjatë saj.
Studimi zbuloi se ata që hanin të paktën dy racione me gjysmë avokado, ose një avokado të plotë në javë, kishin një rrezik 16 për qind më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare dhe një rrezik 21 për qind më të ulët të sëmundjeve koronare të zemrës në veçanti.
Zëvendësimi i një porcioni ditor të margarinës, gjalpit, vezëve, kosit, djathit ose mishit të përpunuar si proshuta me të njëjtën sasi avokadoje u shoqërua me një reduktim prej 16 për qind deri në 22 për qind të rasteve kardiovaskulare, transmeton Alsat M.
Nga ana tjetër, konsumimi i gjysmë porcioni avokado në ditë, në vend të një sasie ekuivalente vaj ulliri, arra dhe vajra të tjerë bimorë, nuk kishte asnjë përfitim shtesë.
Avokadot përmbajnë yndyra të shëndetshme të pangopura, si dhe përbërës të tjerë që janë të lidhur me shëndetin e mirë kardiovaskular. Studimet e kaluara klinike kanë zbuluar se avokado ka një efekt pozitiv në faktorët e rrezikut kardiovaskular, siç është kolesteroli i lartë. Konsumi i avokados ka qenë në rritje të vazhdueshme në vitet e fundit.