KHF Istogu ka bërë hapin e parë drejt titullit të kampionit të Kosovës në hendboll. Të mërkurën në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Istogu e ka mposhtur Vushtrrinë me rezultat bindës 32-23 në ndeshjen e parë finale të ‘play-offit’ të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave.
Istogaset te fitorja e thellë arritën falë paraqitjes dukshëm më të mirë në pjesën e dytë. Pjesa e parë ishte shumë e fortë dhe e barabartë. Skuadrat në pjesën e parë nuk u shkëputën më shumë se një gol në rezultat, ndërsa në epërsi ishin herë njëra e herë skuadra tjetër. Vetëm në fund Istogu shënoi për të fituar pjesën e parë me rezultat 12-11, shkruan kosovahandball.info.
Në pjesën e dytë vushtrriaset disi u ndalën dhe lojtaret e Istogut dominuan plotësisht. Kështu arritën te fitorja bindëse me rezultat 32-23, në ndeshjen që u ndoq nga afro 500 shikues.
Ndeshja e dytë luhet në fundjavë në Vushtrri, ndërsa Istogu me fitore apo barazim shpallet kampion. Nëse fiton Vushtrria, atëherë në përballjen e tretë prapë Istogu është vendas.