Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se nuk ka llogari në rrjetin social Twitter, pas raportimit nga disa medie se Konjufca do të shkarkojë nëpunësit e Klanit “Pronto”.
Një lajm i tillë doli duke u thirrur në tekstin e publikuar në llogarinë e hapur nga persona të panjohur në Twitter, në emër të ministrit Konjufca.
Në këtë shkrim thuhej se Konjufca ka nënshkruar një Udhëzim Administrativ për reduktimin e nëpunësve të ambasadave dhe konsullatave, sepse janë punësime të Klanit “Pronto”.
Mediat të ndryshme pa konfirmuar llogarinë kanë publikuar një lajm të tillë, gjë që e ka shtyrë ministrin të reagoj rreth llogarisë së rrejshme.
“Sapo nënshkrova Udhëzimin Administrativ për reduktimin e nëpunësve të ambasadave dhe konsullatave, sepse siç të gjithë e dimë pothuajse të gjithë të punësuarit në këto poste janë punësime të klanit pronto”, thuhej në llogarinë e rrejshme në Twitter, në emër të Konjufcës.
Ky i fundit ka treguar se nuk ka llogari në Twitter, duke bërë thirrje që mediet të mos bien pre e këtyre profileve të rrejshme.
“Të dashur qytetarë, dua t’ju njoftoj se unë nuk kam llogari në Twitter, as personale dhe as zyrtare. I lus mediat dhe përdoruesit e rrjeteve sociale ta shpërndajnë këtë njoftim dhe të ndihmojnë që publiku i gjerë të mos bjerë pre e profileve të rrejshme, të cilat hapen me qëllime të panjohura”, shkruan Konjufca. /Telegrafi/