Site icon Telegrafi

Konjufca: Zgjedhjet në veri po mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u ka bërë thirrje qytetarëve në katër komunat veriore që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Procesi zgjedhor në katër komunat veriore, siç ka shkruar Konjufca, po organizohet në atmosferë të qetë dhe demokratike.

“Sot, në një atmosferë të qetë dhe demokratike po mbahen zgjedhjet lokale në katër komunat e Republikës së Kosovës, përkatësisht në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Lexo po ashtu Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri – hapen qendrat e votimit

Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara”, ka shkruar Konjufca.

Kryeparlamentari ka thënë se vota e qytetarëve do të ketë ndikim të madh në vendimmarrje lokale dhe ndryshime të përgjithshme pozitive.

“Prandaj i ftoj qytetarët me të drejtë vote të  këtyre komunave që të marrin pjesë sa më masivisht në zgjedhjet e sotme lokale.

Mos e humbni rastin. Vota juaj do të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen lokale, në ndryshimet e përgjithshme pozitive dhe në jetën e mirëqenien tuaj”, u shpreh Konjufca. /Telegrafi/

Exit mobile version