Telegrafi

Konjufca: Vjosa Osmani është e ndërtuar për kryetare të Parlamentit

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka treguar preferencat e këtij subjekti politik për ndarjen e posteve të rëndësishme shtetërore në rast të një koalicioni LDK-Vetëvendosje.

Konjufca, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se analiza më e bukur për figurat politike do të ishte nëse atyre u gjendet pozita që më së miri do u ishte përshtatur.

“Vjosa Osmani është e ndërtuar për kryetare të Parlamentit, edhe në kuptimin e përgatitjes… Të jesh kryetare e Parlamentit nuk është më pak e denjë se të jesh kryeministër i Kosovës”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Nënkryetari i Vetëvendosjes ka thënë se pozicionet e Vetëvendosjes për kryeministrin janë të pareduktueshme dhe sipas tij në projeksionin e tyre Vjosa Osmanin e shohin si kryetare të Parlamentit.

Lexo po ashtu Konjufca: Nominimi i Vjosa Osmanit në një aspekt na afron me LDK-në, në një tjetër na largon

“Në politikë nuk janë të gjithë për postin e kryeministrit e as për kryetar të Parlamentit. Më së miri është që të gjithë t’ia dinë hallin vetes. Në analizën tonë do të bëjmë përpjekje që të gjejmë kryeministrin më të përgatitur për Kosovën, në kuptimin e vullnetit, prioriteteve që e presin… Mendoj që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kanë për të pritur më së shumti nga kryeministri i ardhshëm”, tha ndër të tjera Glauk Konjufca. /Telegrafi/