Site icon Telegrafi

​Konjufca thotë se qeverinë synojnë ta formojnë me partitë jo-serbe

Foto: Arkiv

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se po synojnë të formojë qeverinë me mbështetjen e përfaqësuesve të pakicave jo-serbe.

“Siç e keni parë, qeveria ‘Kurti 2’ është formuar në bashkëpunim me pakicat jo-serbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka ndikuar pozitivisht në Kosovë, duke mos lejuar që Lista Serbe, e cila vepron nën ndikimin e Beogradit, të ketë pushtet vendimtar si në qeveritë e kaluara”, tha Konjufca, për median e Italisë OBCT-së.

Media italiane ka shkruar se ndryshe nga katër vjet më parë, asnjë parti nuk ka marrë shumicën absolute, duke e bërë më të vështirë formimin e qeverisë.

Pavarësisht se fitoi zgjedhjet, LVV nuk arriti objektivin e saj prej 500,000 votash, të nevojshme për të qeverisur vetëm.

Bazuar në rezultatet aktuale, LVV ka 48 vende në parlament. Partia kishte shpresuar të arrinte 50 vende falë votave të diasporës, por mbështetja e lartë fillestare e parë në misionet diplomatike jashtë vendit u zvogëlua gjatë numërimit të votave postare.

Pakicat jo-serbe kanë 10 vende të rezervuara në parlamentin e Kosovës. Me mbështetjen e tyre, LVV mund të arrijë në 58 vende. Për më tepër, LVV po llogarit në votën e Nenad Rashiqit, ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e kaluar Kurti, i cili bashkëpunon me institucionet e Kosovës.

Rashiq hyri në parlament pasi Lista Serbe nuk arriti të fitonte të 10 vendet që tradicionalisht u ndaheshin serbëve, duke siguruar vetëm nëntë.

Megjithatë, për të arritur shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh që nevojiten për të formuar një qeveri, LVV-së i duhen edhe dy të tjerë. Konjufca, mendon se nuk ka gjasa për bashkëpunim me partitë opozitare, përcjell KosovaPress.

“Nëse është e nevojshme, ne do të takohemi si lider dhe do të vendosim për hapat e ardhshëm, por deri më tani partitë opozitare kanë marrë qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë shumë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft të padrejta, me shumë akuza të padrejta dhe goditje të ulëta. Kjo ka lënë gjurmë”, ka shtuar Konjufca./kp/

Exit mobile version